Lajme

Paratë që dolën jashtë për turizëm, u rritën më shumë se ato që hynë në Shqipëri

Për 2018-ën paratë që shqiptarët kanë shpenzuar për pushime jashtë janë rritur me 17,3 % kurse shpenzimet e turistëve të huaj (jo-rezidentë) në vendin tonë janë rritur me 12,5 %.
INSTAT ka përgatitur në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë një studim të integruar për industrinë e turizmit për vitet 2014-2018-të.

Shpenzimet e shtetasave shqiptarë rezidentë jashtë vendit për vitin 2018 kanë qenë 181.396 milionë lekë kurse shtetasit e huaj kanë shpenzuar në Shqipëri vitin që lamë pas 1,3 mln euro.

Shpenzimet e shtetsave shqiptarë rezidentë për udhëtime personale zënë pjesën më të madhe, mesatarisht 77 % dhe shpenzimet për udhëtime biznesi dhe profesionale 23 % të shpenzimeve gjithsej.

Shtetasit shqiptarë rezidentë, referuar të dhënave të vitit 2018, kanë kaluar mesatarisht 7,5 netë qëndrimi jashtë vendit, duke shpenzuar mesatarisht 47 euro në ditë. Daljet e shtetasve shqiptarë rezidentë jashtë vendit për 2018 kanë qenë kryesisht për qëllim pushimesh (rreth 59 % të daljeve) dhe vizita te miqtë e të afërmit (rreth 30 % të daljeve).

Në periudhën 2014-2018, pesha specifike e shpenzimeve të turistëve të huaj jorezidentë në vendin tonë ndaj totalit të eksportit të mallrave dhe shërbimeve është mesatarisht 47 %, ndërsa pesha specifike e shpenzimeve të shtetasve shqiptarë rezidentë, jashtë vendit tonë ndaj totalit të importit të mallrave dhe shërbimeve është mesatarisht 24 %.

Aktivitetet e lidhura direkt me turizmin gjeneruan rreth 45 miliardë lekë vlerë të shtuar gjatë vitit 2018. Kjo ka bërë që sektori i turizmit në vend të kontribuojë me me rreth 2,8 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Sipas INSTAT, duke marrë në kosideratë efektet indirekte të shpenzimeve të turistëve në aktivitete të tjera ekonomike, ky kontribut është edhe më i lartë.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2017 në vendin tonë erdhën rreth 5,1 milionë shtetas të huaj, dëshirat dhe nevojat e të cilëve u plotësuan nga rreth 58 mijë të punësuar vetëm në aktivitetet e lidhura direkt me turizmin , që do të thotë çdo i punësuar në këto aktivitete i shërbente dhe kujdesej për rreth 88 vizitor të huaj.

Në periudhën 2014-2018, hyrjet e shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri kanë qenë afërsisht 23.6 milionë persona. Vetëm gjatë vitit 2018, hyrjet e shtetasve të huaj janë 15,8 % më shumë se viti 2017.

Gjatë vitit 2018, hyrjet e shtetasve nga rajoni i Europës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 89,5 %, duke u rritur me 13,2 %.

Në vitin 2018, në gjithë vendin funksionuan 1.326 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra), dhe janë vënë në dispozicion rreth 17 mijë dhoma dhe rreth 38 mijë shtretër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë