Lajme

Paralajmërimi i Ramës: 3 vjet burg për ata që hyjnë në fushë

Mbledhja e qeverisë shqiptare me të gjithë aktorët e futbollit shqiptare këtë të hënë ka sjellë disa premtime të bujshme. Kryeministri Rama në krah të presidentit të FSHF-së, ka marrë disa zotime, që sipas tij do duhet të nisin një erë të re për futbollin tonë. Për kreun e ekzekutivit, dhuna që nxori krye në Kamzë një javë më parë dhe parandalimi i saj është vetëm fillimi, i një procesi transformues për futbollin shqiptar.

“Jemi mbledhur këtu si rezultat i një reagimi ndaj një fenomeni të rëndë si ai i dhunës. Unë besoj se sot kemi një mundësi për ta parë më gjerë futbollin, si aktivitet, dhe si një forcë e madhe që përfshin shoqërinë dhe edukon rininë. Unë do doja të adresojnë fenomenin e dhunës, por edhe për të nisur një proces reformimi të thellë të futbollit për ta çuar atë përpara. Së pari për çështjen e problemit të dhunës, ne kemi të gjitha mundësitë dhe për të hyrë në një fazë solide dhe për këtë arsye unë besoj se pjesëmarrja në stadiume e çdo sportdashësi do të duhet konsiderohet me një status të veçantë për ti dhënë atij më shumë përgjegjësi, ku çdo veprim individual mund të konsiderohet si një nxitje për mirë ose për keq.”- tha kryeministri Edi Rama.

Për problemin e dhunës Rama propozoi një zgjidhje shumë radikale, duke marrë si shembull modelin anglez. Rama tha se do duhet të bëhet një ndryshim në kodin penal, duke mos toleruar asnjë individ që kryen veprime të dhunshme në stadiume. 3 vite burg do të jetë masa që do të jepet për cilindo që tenton të thyej rregullat në stadiume duke ushtruar dhunë mbi lojtarët, ose arbitrat.

“Është koha që Policia e Shtetit dhe FSHF të bashkëpunojmë me njëra tjetrën. E di që aktualisht ka një pengesë ligjore, pasi ligji nuk lejon rikthimin e policisë në stadium, që do të thotë se do duhet të amendohet ligji, ose duhet të vijmë me një VKM të veçantë, por edhe për këtë mund të punojmë bashkërisht. Ne nuk duhet të mbetemi vetëm te policia. Ne do të ndërhyjmë në kodin penal. Kapërcimi i vijave të bardha do të dënohet me tre vjet burg. Nga njohuritë e mia, di që këto lloj dënimesh janë dhënë në Angli dhe jo vetëm që u zhduk dhuna, por edhe telat e policët dhe stadiumet u bënë më të ngjashme me teatrot dhe operat.”- u shpreh Rama.

Ndër të tjera në fjalën e tij kryeministri Rama në fjalën e tij veçoi edhe temën e formalizmit të ekipeve të futbollit, duke eliminuar përfundimisht evazionin fiskal. “Nuk kemi se si të kërkojmë futboll të shëndetshëm dhe i deklarojmë rrogat e lojtarëve si punëtor fasonë, për të mos paguar asnjë takse. Lojtarë që paguan nga 100 mijë euro deklarohen me 300 mijë lekë, ky është një teatër që nuk mund të vazhdojë kështu. Natyrisht që ne e kuptojmë shumë vështirësinë. Le ta zerojmë për një kohë tatim fitimin për një kohë me kushtin që të deklarojnë të ardhurat për futbollistët për një periudhë kohë. Edhe këtë le ta përcaktojmë dhe ta diskutojmë. Heqja e tatim fitim mbase është një masë për ta formalizuar këtë lloj tregu. Ne nuk kemi dashur që të ndërhyjmë, pasi nuk kemi dashur të mbyllim futbollin. Ata që paguajnë për futbollin janë të pa interesuar për të qenë formal dhe këtë kushte na duhet një qasje tjetër.”

Ndërsa kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka veçuar bashkimin dhe vullnetin politik si çelësin e zgjedhjes dhe zhvillimit të futbollit shqiptar. “Futbolli lartëson emrin e një vendi dhe nëse menaxhohet mirë sjell të ardhura të konsiderueshme. Ka pasur paketë me ligje për nisëm e një kryerje të njëkohshme të ndërhyrjeve, por që nuk u realizuan. Nëpërmjet ndryshimeve ligjore mund të zgjidhim disa probleme siç janë formalizimi, taksat fiskale, lehtësira në ligjin e sponsorizimit. Modernizimi kalon nëpërmjet investimeve dhe duke pasur stadiume moderne, do të rrisë tregun dhe uroj të kemi më shumë. Problemet në futboll nuk janë vetëm të sportit, por të shoqërisë. Shpresoj që ky takim të jetë takim shtyse dhe uroj më të mirën. Nëse ka vullnet politik, mund të zgjidhet gjithçka”, tha Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë