Shendet

Paralajmërimi i OBSH-së: ‘Omicron’ nuk do të jetë varianti i fundit

Një zyrtare e lartë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka paralajmëruar ato vende që besojnë se kanë lënë pas fazën më serioze të pandemisë pas rënies së infeksioneve të lidhura me variantin “Omicron”.

"Ju mund të jeni jashtë valës së fundit ‘Omicron’. Në shumë vende, si Mbretëria e Bashkuar, ku popullsia ka një nivel të lartë imuniteti, jemi në një fazë tjetër të pandemisë. Megjithatë, ka ende 3 miliardë njerëz që presin dozën e parë të vaksinës”, tha Maria van Kerkhove në një intervistë për BBC.

“Është një problem global, duhet ta trajtojmë me zgjidhje globale”, shtoi ajo, duke theksuar se Covid “nuk do të përfundojë me këtë valë të fundit të ‘Omicron’ dhe nuk do të jetë varianti i fundit për të cilin do të dëgjoni”.

Në fakt, në të gjithë botën, pandemia ndodhet në kulmin e saj. Rusia regjistroi rekordin e tretë radhazi të rasteve të përditshme me Covid 19. 63,205 infeksione u regjistruan në 24 orët e fundit, krahasuar me 57,212 të shtunën dhe 49,513 të premten.

Në të njëjtën kohë, Moska - epiqendra e epidemisë në vend - gjithashtu vendosi një rekord të ri, për të katërtën ditë radhazi, me 17,528 raste të reja.

Si infeksionet në kryeqytet, ashtu edhe ato në pjesën tjetër të vendit, janë kryesisht si pasojë e përhapjes së variantit “Omicron”.

Të dhënat e qeverisë tregojnë 326,112 vdekje nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Sidoqoftë, agjencia e statistikave Rosstat - e cila i bazon të dhënat e saj në një përkufizim më të gjerë të vdekjeve të shkaktuara nga virusi - numëron pothuajse dy herë më shumë.

Rekord infektimesh me koronavirus ka pasur edhe në Slloveni dhe Pakistan në raport me numrin e popullsisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë