Politike

Paralajmërimi i BE për vizat, Meta: Kambanë alarmi! Rama: I hoqe vizën figurës së Presidentit

Presidenti Ilir Meta ka dalë sot me një deklaratë të fortë pas paralajmërimit të bërë një ditë më parë nga Komisioneri për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, që deklaroi ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, për çështjen e lëvizjes së lirë.
Sipas kreut të shtetit ajo deklaratë është një kambanë alarmi për të gjithë.
“Ndërkohë që e gjithë vëmendja është përqendruar drejt një vendimi të mundshëm pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, Presidenti vëren me shqetësim të thellë rrezikun e rivendosjes së regjimit të vizave Shengen për Shqipërinë. Pas depozitimit të kërkesës së Holandës për pezullimin e vizave drejtuar Komisionit Europian, njoftimi i djeshëm i Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, është një kambanë alarmi për të gjithë”, thekson Presidenti.
Presidenti Meta kërkon që të merren masa urgjente për të mos lejuar rikthimin e vizave për shqiptarët.
“U bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse të ndjekin me prioritet absolut këtë çështje që mbart një ndjeshmëri të madhe për të gjithë qytetarët shqiptarë. Lëvizja pa viza ka qenë ndër arritjet më të mëdha me ndikim të drejtpërdrejtë për shqiptarët, si populli që ka vuajtur izolimin më të madh e të gjatë në rajon. Bëj thirrje, të merren urgjentisht të gjitha masat e nevojshme duke mos neglizhuar apo anashkaluar asnjë përgjegjësi që do të dëmtonte dhe prapësonte këtë liri të fituar të shqiptarëve!”, deklaron ndër të tjera presidenti.

Ndërkohë, pas deklaratave të Metës, ka reaguar kryeministri Edi Rama. "Ilir Meta mos shqetësohet për rikthimin e vizave - s’ka shans të rikthehen - po të shqetësohet për vizën që i vuri figurës së kreut të shtetit, duke u bërë pjesë e frontit politik kundër zgjedhjeve dhe kundër drejtësisë! Kjo luftë e turpshme kundër Shqipërisë do dështojë. Me turp!", shkruan Rama në Twitter.

https://twitter.com/ediramaal/status/1140966546828877824

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë