Futboll

Paradoksi anglez i Brojës, përfundon në tribunë! Kombëtarja mund ta rehabilitojë

Gazeta Si – Fitoren e sotme të Fulhemit ndaj Totenhemit Armando Broja nuk mundi ta shijonte as nga stoli. Sulmuesi shqiptar përfundoi në tribunë për zgjedhje teknike të trajnerit, që Brojën e llogarit si sulmues të tretë tashmë, pas titullarit Rodrigo Muniz dhë zëvendësuesit të parë Jimenez.

Një situatë paradoksale për futbollistin kuqezi, që la Çelsin për të kaluar Fulhemi me qëllimin për të luajtur rregullisht. Kjo nuk ndodhi, fillimisht Broja mori pak minuta si zëvendësues, ndërsa sot e pa veten në tribunë.

Te Fulhemi nuk e patën aspak problem të paguajnë 4 milionë paundë te Çelsi për Brojën, sipas kushtit që sulmuesi shqiptar duhej të luante 60% për të mos paguar asgjë. Kufiri i 60%-shit u kalua sot, Çelsi fitoi 4 milionë paund, por po humb Brojën.

Te Çelsi sulmuesi luante më shumë, madje edhe si titullar. Tani ka humbur më stol dhe tribunë, por një ndihmë mund t’ia japë Kombëtarja e Shqipërisë. Trajneri Silvinjo e ka grumbulluar për miqësoret me Kilin dhe Suedinë, me siguri do t’i japë minuta dhe Broja ka mundësinë e mirë të rehabilitohet, nëse shënon në këto dy sfida.

Europiani po afron dhe sulmuesi duhet të meritojë ftesën e Silvinjos në listën zyrtare. Tani Broja ka nevojë për ndihmë, në qershor Shqipëria do të ketë nevojë për ndihmën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë