Politike

Para se të kapte mediat, kumari kapi Kuvendin

Mentor Kasa - Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e tij në rrjetet sociale me një kujtesë për të gjitha mediat, veçanërisht portalet në internet. Përmes postimit në Twitter, Rama u kujtonte këtyre protaleve që ligji për lojërat e fatit ua ndalon reklamimin e kumarit në hapësirat e tyre.

“Bastet e kazinote elektronike do të dalin jashtë ligjit në 31 dhjetor. Ama çdo reklamim i tyre në çdo lloj media, është i jashtëligjshëm. Portalet që kanë ende reklama të tilla t'i heqin vetë se ndërkohë po punohet për mbylljen e tyre! Mos kemi llafe për lirinë e shtypit pastaj”, shkruan Kryeministri.

https://twitter.com/ediramaal/status/1049946445724442624

Shefi i Qeverisë ka të drejtë, kur thotë se disa media kanë shkelur e po shkelin ligjin, pasi mjafton të vizitosh disa portale, apo faqe informative në internet, brenda hapësirës së të cilave gjeeje apo gjen ende reklamime të lojërave të fatit, kryesisht të basteve sportive. Por, para se kumari e bastet të kapnin mediat, ato kishin kapur Kuvendin.

Ka vite që mes një pjese të mirë të ligjvënësve dhe industrisë së kumarit flirtohet, por kulmi i këtij flirtimi do të mbërrinte në vitin 2015. Në atë kohë, Ministria e Financave, që drejtohej nga Shkëlqim Cani, dorëzoi për votim në Parlament draftin final për lojërat e fatit, që interpretohej edhe si një fazë e dytë e nismës së qeverisë për rrallimin e kazinove dhe pikave të basteve, e cila pasonte operacionin fillestar “Fundi i Marrëzisë”.

Drafti fillestar gjendet ende në faqen e Ministrisë së Financave dhe nga një krahasim mes këtij drafti dhe ligjit që u miratua falë ndryshimeve të befta dhe brenda pak orëve, thelbi dhe objektivi që Qeveria tha se i kishte vënë vetes, pra “Fundin e Marrëzisë” së kumarit, u minua.

Amendimet e draftit nga deputetët goditën tre shtyllat kryesore të propozimit të qeverisë, që ishte barra e taksimit, distanca mes pikave të lojërave të fatit dhe institucioneve fetare e arsimore dhe në fund numri i pikave për një licencë.

Propozimi fillestar caktonte distancën 200 metra në të gjitha drejtimet mes dy pika bastesh, e po kaq edhe nga institucionet fetare e arsimore. Me ndryshimet e propozuara nga deputetët, kjo distancë u përgjysmua në 100 metra si mes dy pikave, ashtu edhe për institucionet fetare e arsimore.

Ndryshimi tjetër lidhej me taksimin. Ministria e Financave propozonte në pikën 2 të nenit 52 të ligjit taksimin me 25 për qind të të ardhurave bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit, por me ndërhyrjen e deputetëve, kjo u ul në 15 për qind.

Ndryshimi tjetër lidhej me sasinë e pikave sekondare që lejohej për çdo licencë në fushën e basteve sportive. Ministria e Financave kishte propozuar që ky numër të ishte 500 dhe duke përllogaritur që në Shqipëri janë vetëm 3 kompani të licencuara në këtë aktivitet, atëherë numri total i pikave të basteve sportive në të gjithë territorin e vendit nuk do të kalonte shifrën 1500. Por, pas ndërhyrjes së deputetëve, shifra 500 u bë 1 mijë. Ndryshimi nuk pati kosto vetëm për xhepat e bastvënësve shqiptarë, por edhe për buxhetin e shtetit, pasi me propozimin fillestar, për të hapur 1 mijë pika sekondare, kompanive u duheshin dy licenca. Një licencë kushton 2 miliardë lekë dhe ka afat kohor 10-vjeçar.

Foto ilustruese

Këto ishin “tri” goditjet që zbehën misionin e qeverisë për vënien nën kontroll të kësaj industrie, goditje që koha provoi se favorizuan kumarin e bastet sportive dhe nuk e mbrojtën shoqërinë nga ky fenomen. Prova është në terren, ku brenda pak muajve numri i pikave të basteve arriti në thuajse 4 mijë të tilla, duke u renditur e para për numrin e tyre jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.

Ligji hyri në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare, por u jepte afat kompanive për respektimin e distancave deri më 1 janar të 2017. Një vit kohë s’u mjaftoi kompanive dhe me pretekstin e humbjes së vendeve të punës, gjashtë deputetët, Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha, Ylli Shehu dhe Tahir Muhedini kërkuan ndryshimin e ligjit duke zhvendosur këtë afat në 1 janar të 2019.

Por lehtësitë për lojërat e fatit vazhduan edhe përgjatë 2018. Në Korrik, Kuvendi miratoi ligjin për tatimin e të ardhurave, ku ndryshoi mënyra e tatimit për lojërat e fatit. Në ligjin e mëparshëm, tatimi i tyre bëhej mbi bazën e xhiros totale, ndërsa ligji i ri taton vetëm fitimin. Ky është parashikimi i bërë në nenin 6 të ligjit, sipas të cilit barra fiskale e tatimit ulet nga 15 për qind mbi xhiron, në 15 për qind mbi fitimet bruto.

Me këtë arsyetim, Presidenti Ilir Meta e riktheu për shqyrtim këtë ligj, por dekreti i tij u rrëzua nga Kuvendi në muajin shtator.

Tani, mbetet për t’u parë janari i 2019. Ai nuk është larg dhe këtë herë Edi Rama ka vënë një bast me qytetarët që nuk do të ketë më shtyrje të largimit të kazinove dhe pikave të basteve nga zonat e banuara.

“Nga 1 janari, asnjë qepen për baste, asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km/katror të Shqipërisë nuk do të hapet”, deklaroi ai ditën e hënë.

Basti i vënë, në të vërtetë është edhe me të tijtë dhe nuk është çudi që nën presionin dhe lobimin e kompanive të kumarit brenda Partisë Socialiste të ketë nisur rezistenca. Aktualisht Rama ka 78 deputetë, bashkë me tre deputetët që braktisën PDIU-në që iu bashkua opozitës dhe duhet pritur seanca kur do të shqyrtohet propozimi i qeverisë për të mësuar se sa prej tyre do të firojnë përmes  mungesës në sallë, abstenimit, apo edhe votës kundër.

Fitimet marramendëse të bixhozit

Favorizimet e njëpasnjëshme ndër vite e kanë shndërruar industrinë e kumarit në një industri tejet fitimprurëse për pronarët e saj. Vetëm në dy vitet e fundit kjo industri ka rritur me 25 për qind të ardhurat dhe 68 për qind fitimet, ndërkohë që raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se ekspansioni ekonomik ngrihet mbi informalitetin e lartë dhe tolerimin prej Autoriteteve Mbikëqyrëse.

Vetëm në vitin 2017, shqiptarët shpenzuan mbi 16.2 miliardë lekë në tregun e bixhozit, i cili zotëron mbi 4 mijë pika të shpërndara në çdo cep të vendit dhe ndahet mes 20 kompanive të licensuara nga Autoriteti Mbikëqyrës.

Analiza financiare tregon megjithatë se 85 për qind e tregut kontrollohet tashmë nga vetëm pesë kompani kryesore.

Operatori më i madh i lojërave të fatit është kompania austriake Novomatic AG, e cila ka një shtrirje të gjerë në vendet e Ballkanit. Në Shqipëri, Novomatic zotëron përmes kompanive bijë Lotarinë Kombëtare dhe kazinotë elektronike Asta Albania dhe Adriatik Game. Vetëm për vitin 2017, ato realizuan së bashku të ardhura me vlerë 4.6 miliardë lekë dhe fitime prej 526 milionë lekësh.

Kompania e dytë me të ardhurat më të larta është Apex Al, e cila së bashku me operatorin e tjetër të zotëruar prej saj, VLT Albania, realizuan mbi 3.5 miliardë lekë në tregun e kazinove elektronike. Apex është kompania me fitimet më të larta të deklaruara për vitin 2017 në vlerën e 2 miliardë lekëve ose rreth 60 për qind të të ardhurave.

Kompanitë e basteve sportive janë rrudhur nga 5 në 3 gjatë viteve 2015-2018. Kompanitë e mbetura në treg, Top Start, Lloto Sport dhe I.T.S.G.A realizuan së bashku të ardhura me vlerë 5.8 miliardë lekë, nga të cilat 88 milionë lekë fitime në 2017.

Ndërsa 15 operatorët e tjerë ndajnë mes tyre më pak se 15 % të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë