Kombetarja

Panuçi ndryshon sërish listën, fton në kombëtare mbrojtësin e Partizanit

Ende pa u bërë i plotë grupi i lojtarëve për grumbullimin e ekipit kombëtar në prag të ndeshjeve me Turqinë dhe Andorrën, trajneri Kristian Panuçi ka bërë dy ndryshime. Tekniku i kombëtares kuqezi ka thirrur në grumbullim dy futbollistët Lorenc Trashi dhe Ylber Ramadani.

Dy futbollistët ishin injoruar në fillim nga trajneri italian, por dëmtimi i Binjakut dhe Lilës ka bërë që lista të modifikohet. Mësohet se mesfushori kosovar, Ramadani dhe mbrojtësi i Partizanit janë njoftuar nga FSHF për ftesën e Panuçit dhe pritet që t’i bashkohen grumbullimit të kombëtares kwtw tw e martë. Bashkë me dy thirrjet e reja, në grumbullim bashkohen edhe Kristal Abazaj, Naser Aliji dhe Taulant Xhaka, të cilët kishin ndeshje me ekipet e tyre në kampionatet respektive.

Nuk dihet nëse ky do të jetë ndryshimi i fundit i listës së thirrur nga Panuçi, pasi edhe sulmuesi Bekim Balaj ka shfaqur disa shqetësime dhe nuk është e sigurt nëse mund t’ia dalë që të jetë gati për të dyja ndeshjet. Sakaq mbetet misterioze ende çështja e portierit Tomas Strakoshës, i cili nuk i është bashkuar grumbullimit kuqezi. Gardiani i Lacios nuk mundi dot të bashkohej me ekipin në orarin e përcaktuar për shkak se humbi avionin për në Tiranë dhe është penalizuar nga tekniku kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë