Shendet

Pandemitë, vrasësit më të mëdhenj të njerëzimit. Çfarë na mëson historia?

Gjatë historisë së botës, asgjë nuk ka vrarë më shumë njerëz sesa sëmundjet infektive. Covid-19 tregon se sa të prekshëm mbetemi dhe si të mësojmë të shmangim pandemitë e ngjashme në të ardhmen. Pandemia koronavirusit, nuk mund të ishte më e parashikueshme se pandemitë e tjera. Që nga 26 Marsi, kishte më shumë se 470,000 raste të konfirmuara të Covid-19, në të gjithë botën dhe më shumë se 20,000 vdekje, duke prekur çdo kontinent, përveç Antarktidës. Kjo ishte një pandemi, më përpara se Organizata Botërore e Shëndetësisë ta shpallte si të tillë dhe njerëzit duhet ta kishin parë se diçka nuk shkonte. Covid-19 shënon kthimin e një armiku shumë të vjetër dhe të njohur. Gjatë historisë, asgjë nuk ka vrarë më shumë qenie njerëzore sesa viruset, bakteret dhe parazitët që shkaktojnë sëmundje. As katastrofat natyrore dhe as luftërat që janë bërë.

Vrasës Masiv
Për shembull malarja, e cila është një sëmundje që vjen nga pickimi i mushkonjave. Kjo sëmundje ka ndjekur njerëzimin mijëra vjet dhe vetëm 20 vitet e fundit ka vrarë gjysmë milion njerëz gati çdo vit. Përgjatë viteve, veçanërisht epidemitë kanë qenë vrasës masiv. Vdekjet kanë qenë në një shkallë më të gjerë se sa sot. Një tjetër pandemi e ngjashme me malarien ishte dhe murtaja e Justinianit në shekullin e 6-të ku mbetën të vdekur 50 milion njerëz, në atë kohë gjysma e popullsisë së botës.
Sëmundja Smallpox mund të ketë vrarë rreth 300 milion njerëz në Shekullin e 20-të, edhe pse një vaksinë efektive për këtë sëmundje, bota e kishte parë që në vitin 1796. Nëse bota tronditet tashmë nga shifrat e koronavirusit të ri, është për shkak se epidemitë e kohëve të kaluara, rrallë janë diskutuar dhe thjesht kanë mbetur një fakt i tmerrshëm i jetës së njerëzve. Historiani Alfred Crosby ishte autori i librit “Pandemia e Harruar e Amerikës”, një nga librat e mrekullueshëm për gripin në vitin 1918. Por Crosby u nxit të fillonte hulumtimin e pandemisë, kur kuptoi se jetëgjatësia e amerikanëve kishte rënë dhe ky faktor vinte për shkak të një virusi 120 nanometra të gjerë.

Përhapja është avantazhi i infeksionit
Patogjenët janë vrasës masiv sepse përsëriten. Kjo është ajo që i veçon ato më shumë se kërcënimet e tjera madhore për njerëzimin. Simptomat e krijuara nga një patogjen infektiv si teshtima, kollitja ose gjakderdhja bëjnë që virusi të përhapet sa më shumë. Dhe për shkak se qeniet njerëzore lëvizin duke bashkëvepruar me qeniet e tjera njerëzore, detyrimisht edhe mikrobet do të lëvizin. Nuk është çudi që militantët kanë provuar prej kohësh të shfrytëzojnë sëmundjen si një mjet lufte. Nuk është çudi që, deri vonë, shumë ushtarë vdiqën nga sëmundja sesa vdiqën në luftime. Një patogjen është një armë e përkryer ekonomike. Kërcënimi i vazhdueshëm i sëmundjes, aq sa çdo faktor tjetër, mbajti frenat për zhvillimin dhe zgjerimin e njeriut. Në shekullin 19, jetëgjatësia globale ishte vetëm 29 vjet jo sepse qeniet njerëzore nuk mund të jetonin në moshat shumë më të mëdha edhe atëherë, por sepse shumë prej tyre vdiqën sapo lindën nga infeksioni. Qytetet e epokës para moderne ishin në gjendje të mbanin popullsinë e tyre vetëm përmes një infuzioni të vazhdueshëm të emigrantëve për të kompensuar qytetarët që vdiqën nga sëmundja. Zhvillimi i parë i kanalizimeve dhe më pas i kundërveprimeve si vaksinat dhe antibiotikët, ndryshuan gjithçka.

Ende nuk ka mbaruar
Në botën e zhvilluar, ne tani kemi më shumë të ngjarë të vdesim nga sëmundje jo të transmetueshme si kanceri, sëmundja e zemrës ose Alzheimeri sesa nga infeksionet. Rënia e sëmundjeve infektive është dëshmia më e mirë që jeta në këtë planet me të vërtetë po përmirësohet. Lajmi i keq, siç na kujton Covid-19, është se sëmundjet infektive nuk janë zhdukur. Në fakt, tani ka më shumë të reja se kurrë, numri i sëmundjeve të reja infektive si Sars, HIV ,Covid-19 e të tjera është rritur me gati katërfish gjatë shekullit të kaluar. Vetëm që nga viti 1980, numri i shpërthimeve të sëmundjeve pandemike në vit është trefishuar. Ka disa arsye për këtë gjë. Gjatë 50 viteve të fundit, ne kemi dyfishuar numrin e njerëzve në planet. Kjo do të thotë më shumë qenie njerëzore të infektuara, që do të infektojnë edhe njerëz të tjerë, veçanërisht në vendet me popullsi të madhe. Ndërsa, Covid-19 po demonstron me dhimbje, ekonomia jonë globale e ndërlidhur ndihmon në përhapjen e sëmundjeve të reja infektive dhe me zinxhirët e saj të gjatë të furnizimit, është në mënyrë më e mirë për të përhapur infeksionet. Për të gjitha përparimet që kemi bërë kundra sëmundjeve infektive, rritja e popullsisë na ka bërë më të prekshëm ndaj mikrobeve që evoluojnë 40 milion herë më shpejt sesa njerëzit.

Antibiotikët kanë shpëtuar qindra miliona jetë që nga zbulimi i vazhdueshëm i penicilinës në vitin 1928, por rezistenca bakteriale ndaj këtyre ilaçeve po rritet. Sipas një studimi në vitin 2018, 33,000 njerëz vdesin çdo vit nga infeksione rezistente ndaj antibiotikëve vetëm në Evropë. Edhe psikologjia njerëzore ka faj. Përhapja e skepticizmit të vaksinave është shoqëruar me ringjalljen e sëmundjeve që kanë pushtuar botën, si fruthi për shembull, duke bërë që OBSH në vitin 2019 të emërojë lëvizjen anti-vaksinuese një nga 10 kërcënimet më të mëdha në botë për shëndetin publik. Ekspertët mjekësorë tregojnë se duhet të forcojmë më tepër sistemin shëndetësor në mënyrë që kur të shfaqet një virus tjetër ta kapim sa më shpejt dhe ta shuajmë atë. Buxheti i OBSH-së, agjencia e ngarkuar për ruajtjen e shëndetit të 7.8 miliardë qytetarëve të botës, nuk është më shumë se sa një spital rajonal i SHBA.
Duhet të dyfishojmë zhvillimin e vaksinave, të cilat do të përfshijnë sigurimin e kompanive të mëdha farmaceutike që investimet e tyre nuk do të shkojnë dëm. Ne duhet të ndërtojmë më shumë sisteme shëndetësorë që të kenë kapacitetin e duhur për të përballuar një pandemi tjetër. Një sfidë e vazhdueshme në këtë përgatitje duhet të jetë edhe anashkalimi i faktorit “harresë”. Shpesh herë politikanë japin premtime për finanancimin e menjëhershëm në kohë krize pandemie, por i harrojnë premtimet e tyre, në kohën kur vala e pandemisë zbehet. Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi jo vetëm që të mbijetojmë nga kjo pandemi, por për të sigurojmë që nuk do të kthehemi tek e kaluara./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë