Futboll

Pandemia/ Uefa vendos anulimin e Youth League 2021

Edicioni 2020/21 i UEFA Youth League nuk do të zhvillohet për shkak të kufizimeve të reja të vendosura nga pandemia e Covid-19. Kjo u njoftua nga UEFA, që zyrtarizoi kështu vendimin për anulimin e kompeticionit për këtë vit. Turneu europian dedikuar talenteve të akademive të klubeve më të rëndësishme në kontinent duhej të fillonte në fundjavën e parë të marsit, por situata i detyroi organizatorët të bënin një hap prapa për të mbrojtur shëndetin e lojtarëve.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të anulojë edicionin 2020/21 të UEFA Youth League për shkak të pandemisë Covid-19 dhe efekteve të saj në zhvillimin e kompeticionit”, thuhet në njoftimin për shtyp të UEFA. Për të kufizuar rreziqet, në një moment të parë u bë një ndryshim në rregullore, duke kapërcyer fazën e grupeve dhe duke filluar menjëherë me fazat me eliminim, në ndeshje unike. Masat e reja të vendosura kohët e fundit nga autoritetet shëndetësore dhe afatet shumë të ngushta, megjithatë, kanë ndërlikuar programet e UEFA-s, duke hedhur në erë gjithçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë