Treg

Pandemia nuk harron tërmetin, rriten sigurimet për zjarrin dhe forcat e natyrës

Të dhënat e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare tregojnë se në sigurimin vullnetar në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive gjatë periudhës janar - maj 2020 siguruan mbi 1,290 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.52%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 27.18% të totalit.

Pavarësisht frikës nga pandemia dhe izolimi, shqiptarët nuk e kanë harruar tmerrin që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019, por u ndërgjegjësuar për sigurimin e pronës.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar - maj 2020, është vënë re një rritje prej 43.37% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.11% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - maj 2019.

Edhe pagesat e dëmeve gjatë kësaj periudhe në pjesën më të madhe kanë qenë për sigurimet nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës.

Të dhënat zyrtare  tregojnë se pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar - maj 2020 u rritën me 45.88% krahasuar me periudhën janar - maj 2019. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 1,725 milionë lekë, apo 50.49 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Në tërësi, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar - maj 2020 kapën vlerën mbi 6,068 milionë lekë, ose 9.99% më pak se në periudhën janar - maj 2019. Gjatë periudhës janar - maj 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 354,651 me një ulje  prej 26.53% krahasuar me periudhën janar - maj 2019. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.31 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.69%.

 Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.41% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.59% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar - maj 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,417 milionë lekë, ose 45.88% më shumë se në periudhën janar - maj 2019.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë