Biznes

Pandemia largon nga Shqipëria “Memorial International School of Tirana”

Me firmën e zëvendëskryeministrit Erion Braçe është mbyllur veprimtaria e institucioneve arsimore private “Memorial International School of Tirana (MIST)” nën pronësi të shoqërisë “Turgut Ozal Education”.

Gati dy muaj më parë, Shoqëria do t'i dërgonte Ministrisë së Arsimit dhe Sportit një kërkesë për heqje licence duke argumentuar largimin nga Shqipëria me situatën e krijuar nga pandemia dhe paqartësinë për vijimësinë.

Pasi Këshilli i Ministrave vendosi për mbylljen e rrjetit “Memorial International School of Tirana”, ka urdhëruar plotësimin e disa detyrimeve që i dalin shkollës:

Të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;

Të mbulojnë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;

Të kthejnë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;

Të vënë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;

Të dorëzojnë në Arkivin Shtetëror Vendor dokumentacionin dhe të paraqesin në institucionin arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Kurse, institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:

Të ngrejë grup pune brenda dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare, “Memorial International School of Tirana (MIST)”.

Gjithashtu, të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këto institucione arsimore;

Të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga këto institucione arsimore private parauniversitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë