Trend

Pandemia i mësoi shqiptarët pse duhet shkuar në palestër

Që shqiptarët janë lidhur me palestrën ka shumë kohë, kjo është diçka që është vënë re. Por si ka funksionuar lidhja e palestrave me pandeminë?

Astrit Dogjani, menaxheri i Evolve Gym në Rrugën Eshref Frashëri, Tiranë tha për Gazetën “Si” se pavarësisht nga rreziku që sjell koronavirusi dhe gjithë kufizimet, rritja e anëtarësimeve të janarit i ka tejkaluar ato të viteve të kaluara. Me hapjen e palestrave, njerëzit janë interesuar më shumë për të ditur rreth kurseve, orëve dhe çdo gjë që lidhet me palestrën dhe të mirat e saj. Ajo që Dogjani ka vënë re është se klientët e rinj janë persona që kanë probleme me shëndetin, janë mbipeshë dhe që gjithmonë kanë pasur nevojë të bëjnë palestër, por nuk e kanë nisur kurrë.

“Më kanë thënë se kurrë nuk kanë nisur palestrën sepse nuk kanë pasur vullnet. Me ardhjen e pandemisë, u detyruan të vijnë në palestër dhe të kërkojnë ndihmën tonë” tregon Dogjani.

Në Evolve Gym ka dhe njerëz në moshë që janë abonuar mbas pandemisë sepse kanë dëgjuar për të mirat që sjellin ushtrimet dhe duan të kujdesen sa më shumë për trupin e tyre. "Nga ana tjetër, të rinjtë nuk vijnë më për të kaluar kohën apo sepse thjeshtë duan të bëjnë palestër, “vijnë sepse e shohin si një mënyrë të mirë për tu kujdesur për shëndetin fizik dhe mendor", shton ai.

Trajneri personal, Sadik Kuçi tregon se një ndryshim që ka bërë pandemia në rutinën dhe punën e tij është se klientët më të shumtë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë adoleshentët.

“Kam klientë adoleshentë, diçka që nuk ka qenë kaq prezente para pandemisë” tha Kuçi.

Ai tregon gjithashtu se shumë prej klientëve të tij që janë të moshës 25-35 vjeçare dhe pjesa më e madhe meshkuj, janë persona që kanë kaluar Covid-19 dhe “vetëm pasi janë infektuar dhe shëruar kanë vendosur të vazhdojnë një kapitull të ri në kujdesin ndaj trupit dhe mendjes duke kërkuar ndihmën e një trajneri personal”.

Sadik Kuçi, Trajner personal

Ato e kanë kuptuar se një dietë e mirë ushqimore, ushtrimet e personalizuara dhe ndjekja e ecurisë së tyre nga një trajner personal ndihmojnë shumë në mirëqenien fizike dhe mendore.

Kristi, përfaqësuesja e palestrës ‘Body Code’ tha për Gazetën “Si” se në palestrën e tyre, ndryshe nga cfarë prisnin, pas pandemisë është rritur puna pasi përveç ofertave që palestra ka bërë për klientët, njerëzit janë bërë më të përgjegjshëm.

“Pandemia i ka shtyrë njerëzit të afrohen më shumë drejt palestrave si një mënyrë për tu kujdesur për veten. Sot kemi më shumë klientë sesa kemi pasur para pandemisë” tregon Kristi.

Njerëzit janë më të interesuar për të ndjekur kurse të ndryshme sepse “kanë lexuar dhe dëgjuar se ndihmojnë në mirëqenien e shëndetit.”

Kristi thotë se nga të gjithë abonimet që ka pasur palestra para pandemisë, janë shtyrë ose pezulluar, por asnjë person nuk ka anuluar abonimin, madje “të gjithë mezi kanë pritur të hapen palestrat që të vijnë.”

Nga ana tjetër, janë të paktë njerëzit që shprehin frikë apo bëjnë kërkesa të veçanta, ndoshta sepse kujdesi është diçka që e kanë lënë në dorë të përgjegjësve të palestrave apo sepse kanë marrë përsipër të rrezikojnë për të qenë mirë.

“Shumë pak pyesin para për çdo masë që ne marrim përsa i përket pandemisë, të tjerët e dinë se ne jemi shumë seriozë nga kjo pjesë e preferojnë të vijnë edhe pse ekziston një rrezik sado i vogël por prapë duan të bëjnë palestër për të qenë më të shëndetshëm” tha Kristi.

Pandemia i bëri njerëzit të shkojnë në palestër, ndryshoi vetëm arsyen parësore pse shkojnë. Sorgena Leka


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë