Trend

Pandemia futi hundët dhe tek tatuazhet, shqiptarët vizatojnë Covid në trup

Nuk janë të paktë njerëzit që vendosin të kenë me vete gjithë jetën një apo më shumë tatuazhe që kanë një domethënie ose jo, që i kujtojnë diçka apo dikë. Kjo mënyrë arti daton para shumë kohësh dhe vazhdon edhe sot të jetë e preferuar edhe pse pandemia globale ka zënë vend edhe në studiot e tatuazheve.
Fatjon Doda nga studio "Durazzo Ink" thotë se padyshim pandemia i ka ndikuar negativisht në punën e tij. Studio e tij ndodhet në Durrës dhe gjatë viteve të tjera shumë klientë kanë qenë turistë të huaj, gjë që sot është një mungesë shumë e madhe.
"Padyshim pandemia ka pasur impakt negativ në gjithë botën edhe nuk kishte si mos të prekte dhe artin që unë bëj. Këtë vit ka pasur klientë që kanë anulluar takimet ndoshta nga frika apo nuk e di por kjo gjë ka ndodhur në fillim, pastaj kur u hapën rrugët dhe u hoq orari, si duket u harrua pandemia dhe klientët filluan të vijnë si zakonisht. Më shumë është ndjerë mungesa e turistëve dhe klientëve të rinj. Ka shumë pak turistë dhe klientë të rinj që vijnë në studion time" thotë Fatjoni.


Përvec kësaj, pandemia i'u ka dhënë dhe ide të reja personave që i duan tatuazhet.
"Dosku tattoo" ndodhet në rrugën e Elbasanit ku kërkesat e veçanta nuk kanë munguar në këtë periudhë.
Endri, artisti i studios i ka treguar Gazetës "Si" se pandemia ka ndikuar muajt e parë kur çdo gjë ishte e mbyllur por pastaj është çuditur nga ajo që ka vënë re.
"Asnjë nga klientët e mi nuk ka anulluar takimet, normal janë shtyrë por anullime nuk ka pasur." thotë Endri.
Ai tregon se jo vetëm që nuk janë anulluar takimet por edhe ka pasur klientë me kërkesa të veçanta, ato kanë kërkuar tatuazhe në lidhje me Covid-19.
"Një ndër to janë portrete të stilit chicano, me maskë në fytyrë. Gjithashtu ka pasur edhe nga ata që kanë shkruajtur "coronatime", shumë të bindur në atë që po bënin" tha Endri.


Një problem është dhe protokolli. Duhet të ketë vetëm një person në studio, të tjerët duhet të presin në rradhë me një largësi prej një metri, të gjithë duhet të pajisen me maska dhe duhet ti matet temperatura çdo klienti para se të hyje në studio.
A bezdisen  klientët nga gjithë këto kur e vetmja gjë që duan është të bëjnë tatuazhin dhe të largohen?
Marvi tattoo thotë se "Ne si studio gjithmonë kemi punuar me maska dhe doreza duke ruajtur higjienën dhe sterilitetin ndaj çdo patogjeni të infeksionit duke qenë se bëjmë shpime në kontakt me gjakun (shpime trupore, Piercing-tattoo)" por problemi është me klientët të cilët nuk janë mësuar me maska dhe e shohin të panevojshme dhe bezdisëse vendosjen e maskës nga ana e tyre e nuk duan të presin në rradhë.  Ky është një tjetër moment ku studio humb klientë.

Punim në studion "Marvitattoo"

"Marvi Tattoo" i  tha Gazetës "Si" se puna ka rënë me 70% për shkak të pandemisë dhe protokollit që duhet të ndjekin.
Në këtë periudhë studio është detyruar të punojë vetëm me orare të rezervuara për të shmangur grumbullimn e njerëzve , gjë që ul numrin e klientëve si dhe mungesa e turistëve dhe emigrantëve ka ulur shumë ndjeshëm punën dhe këto kohë më shumë po punon me klientët besnikë që tashmë kanë besim të plotë në punën e tij dhe nuk e kanë problem të ndjekin çdo rregull, mjafton të bëjnë tatuazhin, një dëshirë që shumë herë dhe mund ta kalojë frikën. Kështu ka ndodhur dhe me klientët në studion "Flori tatto-piersing" në Tiranë.
Artisti Florian Dosku i ka thënë Gazetës "Si" se shumë klientë kanë menduar ta shtyjnë për një periudhë tjetër bërjen e tatuazheve por janë penduar pasi "kanë aq shumë dëshirë për të parë tatuazhin në trupin e tyre sa e lënë mënjanë frikën nga virusi" madje ndoshta dhe për të treguar se janë më të fortë apo për të pasur një kujtim nga gjithë kjo situatë, shumë klientë kanë vendosur të bëjnë tatuazh fjalën 'Covid-19'.


Si duket, nuk paska gjë që i ndal dashamirësit e tatuazheve!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë