Art dhe Kulture

Pandemia, a e mësoi artin shqiptar të ndryshojë?

Nga Luljeta Nelallari - Fill pas shpalljes së pandemisë në vend, 9 mars 2020 do të kyçte dyert çdo institucion i artit dhe kulturës, duke i anuluar të gjitha veprimtaritë fizike. Emocionet e artit i zuri ankthi dhe frika dhe në këto dy vite të gjata e të hidhura, arti dhe kultura nuk pati kosto të pakta.

Pavarësisht se në vend të shfaqjeve erdhën alternativat virtuale me shfaqje teatrore livestream, në platforma si Facebook apo të ashtuquajturat “opera me pizhama”, regjisori Altin Basha shprehet për Gazetasi.al se edhe këto mënyra virtuale ishin të kufizuara.

“Ndonëse artistët kudo në gjithë botën gjetën mënyra për të komunikuar me publikun e tyre rruga e komunikimit artistik mbetej e kufizuar”, shprehet Basha për Gazetasi.al

Ndërsa gjatë 2020-s vendi ishte në gjendje izolimi, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe frika ishte tejet e madhe duke u zbatuar rreptësisht rregullat e distancimit social, gjatë vitit 2021 njerëzit nisën të ishin më të shpenguar nga rreziku i armikut të padukshëm dhe ky vit do të shoqërohej me një rihapje të pjesshme të eventeve kulturore.

Por tanimë, jo në mënyrën siç ishim mësuar përpara pandemisë! Drejtuesve iu desh të rreken në mënyra e forma të tjera, ku gjatë sezonit të verës panë si mundësi ambientet e hapura për të mos i lënë artdashësit pa “kulturë”.

Ishte Teatri Kombëtar i pari nga institucionet e mëdha që i hapi dyert në natyrë, pranë teatrit veror të liqenit, duke sjellë shfaqjen “Ferma e Kafshëve”, premierën e parë pas mbylljes. Spektatorët që mbushën shkallarët e Amfiteatrit për të shijuar premierën konfirmuan edhe etjen e publikut për teatër.

Shfaqja "Ferma e Kafshëve" në Amfiteatrin e Liqenit

Më vonë, Teatri do të rifillonte edhe vëniet skenike, por me rregulloret në fuqi. Në shtator 2021, Hervin Çuli në një intervistë për Gazetasi.al, duke pranuar realitetin e ri do të shprehej se edhe vëniet skenike mund të zgjasnin pak, duke vënë në pah pasiguritë që e shoqëronin si administrator për shkak të Covid.

Një tjetër institucion që u rihap në realitetin e ri ishte Teatri i Operës dhe Baletit. Dyert e Teatrit të Operës të rikonstruktuar u hapën për artdashësit pas pesë vitesh, por Covid nuk do t’i lejonte të gjithë të merrnin pjesë në mbrëmjen Gala. Ata që u bënë pjesë e evenimentit ishin të pajisur me certifikatë vaksinimi ose një test negativ PCR të 48 orëve të fundit.

Eventi tjetër kulturor që u hap në një normalitet të ri gjatë 2021-shit ishte Panairi i Librit. Pas një viti mungesë, Panairi i Librit “Tirana 2021” u hap në Pallatin e Kongreseve në formën klasike të tij, me prani fizike të autorëve dhe lexuesve, por në ndryshim nga nëntori i një viti më parë, që mund të quhej edhe si nëntori “online” i librit dhe motoja ishte “klikoni, klikoni” për të parë titujt e rinj, lexuesi i këtij viti pati mundësi të shohë nga afër e të shfletojë librat që dëshironte të fuste në çantë, duke marrë edhe kënaqësinë e një autografi nga autorët, por as ky event nuk e anashkaloi dot realitetin pandemik.

Panairi i Librit 2021, në Pallatin e Kongreseve

E kur kemi kaluar dy vite në kushte të pazakonshme të të bërit art, regjisori Altin Basha thotë se kthimi duket shumë i vrullshëm dhe ndjehet nevoja për të plotësuar mungesën.

“Nga njëra anë publiku, nga ana tjetër artistët mezi kanë pritur normalitetin”, shprehet ai.

Shfaqja "Coriolanus", premierë e Teatrit Kombëtar në dhjetor 2021

Sipas tij pandemia na rikonfirmoi se jeta pa artin dhe kulturën është e zbehtë.

“Pandemia na mësoi se jeta pa artin dhe kulturën është si një peizazh bardhezi, pa ngjyra. Në këtë aspekt mund ta themi se kemi një rivlerësim të rëndësisë dhe peshës sociale të tyre”, shprehet Basha për Gazetasi.al, ndërsa shton se “një nga mekanizmat lehtësues të përballimit të pandemisë kanë qenë arti dhe kultura në shtëpi”.

Për aktivitetin e munguar artistik të kësaj periudhe aktorja Ema Andrea është më kritike dhe sheh përgjegjëse institucionet.

“Nuk di nëse pandemia ka mundur të ndikojë në individë, por ka nxjerrë në pah, mungesën e vizionit e organizimit të institucioneve të artit e kulturës, të cilët gjatë pandemisë, ndenjën në stacion pritje, pa ofruar asnjë dialog me qytetarët. Sipas meje ishte momenti më i mirë për të ‘hyrë’ në shtëpitë e të gjithëve, për sa çdo aspekt i jetës ‘kishte mbetur jashtë’, por kjo nuk ndodhi”, shprehet aktorja Ema Andrea për Gazetasi.al.

Ndërkohë, Basha bën edhe një krahasim me artin dhe kulturën në vendin tonë para pandemisë, ku thotë se këto dy vite të pazakonta krijuan mundësinë për të kërkuar forma dhe mënyra komunikimi të reja edhe në aspektin artistik dhe ndoshta ky perceptim i ri mund të krijojë vepra më të fuqishme.

“Pandemia ka imponuar një perceptim të ri mbi jetën, përkohshmërinë dhe vlerën e saj. Reflektimi ndaj këtij fenomeni do prodhojë vepra edhe më të fuqishme artistike. Gjithashtu mendoj se arti dhe kultura janë një terapi shumë efikase për rimëkëmbjen emocionale dhe psikologjike të njerëzimit pas kësaj traume globale”, shprehet ndër të tjera Basha.

Edhe për aktoren Ema Andrea paspandemia na ka bërë më të qartë se bota ka ndryshuar, por sipas saj “arti ynë nuk është ende gati të ndryshojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë