Politike

Panariti: Pse deputetët s’duhet ta votonin symbyllur marrëveshjen me Pfizer

Shefi i Kabinetit në Presidencë, Edmond Panariti, shfaqet i keqardhur me mënyrën se si Kuvendi kaloi marrëveshjen me Pfizer pa ditur detajet e saj.  

 “Po çfarë është vaksina Fajzer (Pfizer) e rrethuar nga qeveria me anonimat dhe sekret pas kontraktimit? A duhet të dimë diçka më shumë për të para se t’i japin dhe hapim krahun? Pse ajo dhe jo një tjetër?  Askush mjerisht në Kuvend nuk i shtroi këto pyetje, por thjesht votoi symbyllur.

Jam i sigurt që në Parlamente të tjera do të pyesnin, kërkonin sqarime dhe do të kishte debat.  Sepse njerëzit që i çojnë aty përfaqësuesit e tyre duan të informohen. Dhe e drejta për informim, është shtyllë e demokracisë!”, shkruan Panariti në Facebook.

Më tej, Panariti rreket të japë disa sqarime të kuptueshme për të gjithë lidhur me vaksinën. Për të dalë sërish tek konkluzioni se në rastin e kësaj vaksine duhet shumë kujdes, transparencë dhe parapërgatitje  

“Ndryshe nga vaksinat e tjera, vaksina Pfizer, është një ‘informacion’ një SMS që i dërgohet trupit tonë për ta stërvitur që ai të mbrohet nga Covid - 19. Pra Kaq ishte thelbi! Ndryshe nga më parë, në vend të viruseve të vrarë apo proteinave inaktive, në trupin tonë futet një mesazh i cili stërvit dhe trajnon trupin për të luftuar virusin.  Kjo SMS është shumë delikate dhe që të ruhet dhe të depërtojë në trupin tonë pas injektimit futet në një zarf yndyror (grimca yndyre), hollohet me pak ujë të kripur (solucion fiziologjik) futet në ngrirje - 70 gradë para se të injektohet. Pasi trupi ynë e lexon këtë SMS urdhër, ai reagon dhe vepron kundër Covid. Kur sms lexohet ajo vetë shkatërrohet. Ashtu siç bëjmë dhe ne pasi lexojmë një chat në ëhatsup dhe pastaj e fshijmë...”, shkruan ai

Panariti shkruan se është shumë delikate në ruajtje dhe ka disavantazhin në krahasim me vaksinat e tjera se kërkon dy doza në interval 3 javor

“Kërkon shumë parapërgatitje dhe transparencë që te ne mungon, krahasuar me vende të tjera... Por është shumë efikase. A ka zgjidhje dhe zgjedhje të tjera? Sigurisht që po!. Po bash për këto kërkohej debati parlamentar që mjerisht mungoi”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë