Libra

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Mal të Zi: Fokusi te lexuesit e rinj

Panairi  Ndërkombëtar  i  Librit  në Mal të Zi, i cili ka nisur më 2 tetor në Podgoricë dhe do të qëndrojë i hapur deri më 6 tetor 2018, këtë vit ka në qendër lexuesin e ri dhe rolin që ka letërsia për  fëmijë dhe të rinj, cilat janë sfidat e saj në kohërat e  teknologjisë, prirjet e reja dhe roli që ka autori vendas përballë letërsisë së përkthyer dhe nevoja e lexuesit të ri për të krijuar marrëdhënie me personazhe nga kultura vendase. Në këtë panair marrin pjesë edhe botues nga Shqipëria.

Shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka dhe përkthyesja dhe studiuesja Silvana Leka janë të pranishëm në këtë  ngjarje të rëndësishme kulturore  për rajonin – ku jo vetëm ekspozohen libra, por edhe adresohen problematike - përveç paraqitjes në një stendë të veçantë të publikimeve të “Botime POETEKA”, do të jenë pjesë e veprimtarive të seminarit dhe tryezës së rrumbullakët  me temë: “Letërsia për fëmijë dhe të rinj: sfidat dhe mënyrat e saj”.

Shkrimtari Arian Leka

Në këtë veprimtari ata  do të paraqesin në referate të ndryshme mbi përvojat e tyre si autorë, përkthyes e botues të letërsisë për fëmijë dhe të rinj. Kontributi i tyre përqendrohet kryesisht rreth çështjeve të veçantive së kësaj letërsie në Shqipëri, prirjeve të reja dhe rolit të autorit vendas përballë letërsisë së përkthyer.Pjesë të trajtimeve të kumtesës së Silvana Lekës bëhen gjithashtu edhe temat e standardizimit të shijeve letrare përmes një pjese të letërsisë së përkthyer dhe nevoja e lexuesit të ri për të krijuar marrëdhënie me personazhe nga kultura vendase.

Studiuesja Silvana Leka

Në kumtesën e saj trajtohen edhe çështje të ndikimit të serive  të librave në globalizimin e ndjeshmërive, por edhe në krijimin e stereotipave kulturorë. Diskutimi prek edhe pika të tjera si ajo e nevojës së këshillimit të titujve dhe zhanreve të letërsisë për lexuesit e rinj dhe mundësisë së krijimit të shprehive të “lexuesit të përjetshëm” përmes këshillimit. Propozimet e saj lidhem edhe me çështje si zgjerimi i hapësirës së komunikimit me lexuesit e vegjël dhe të rinj përmes librit të ilustruar nga piktorët vendas dhe novelat grafike si mjet didaktik.

Në kumtimin e Arian Lekës preken çështje të pikëtakimeve mes shkrimtarëve dhe lexuesit të ri, roli i letërsisë për fëmijë dhe të rinj në shoqëritë multikulturore, multietnike, në shoqëritë në ku të drejtat e njeriut nëpërkëmben, shoqëritë me tranzicion të zgjatur dhe shoqëritë konfliktuale.

Pjesë e shtjellimeve bëhen edhe propozime në lidhje me tipologjinë e përkthyesit të librave për fëmijë, lloji specifik i gjuhës së përdorur në këto përkthime, vlera e leximeve nga letërsia klasike, përurimi i librit jo me fushata, por si një “rutinë e përditshmërisë së jetës”, lidhja e drejtpërdrejtë mes autorit dhe lexuesit dhe si edhe pushteti i librit përballë mjeteve të reja të leximit.

Në stendën e hapur me këtë rast në Panairin Ndërkombëtar të Librit – Podgorica 2018, “Botimet POETEKA” do të paraqesin 15 tituj të rinj, botuar në harkun kohor mes viteve 2017-2018.

Titujt janë kryesisht nga letërsia ballkanike, autorë gjermanë dhe austriakë e veçanërisht 8 libra për fëmijë rinj, mes të cilëve libri me përralla “Mësimet e natës”, nga Betim Muço, “Legjendat më bukura: Vëllimi 1 dhe 2” dhe vëllimi me poezi për fëmijë “Sot lejohet fluturimi”, nga Arian Leka“Novela Botërore Vëllimi 1 dhe 2 (Miguel de Servantes,  Charles Dickens, Anton Chekhov, Rudyard Kipling, Selma Legerlof, Federic Mistral, Mark Twain, Jack London, Gustave Flaubert, Leo Tolstoi, Alphonse Daudet) libri dygjuhësh shqip – gjermanisht “Alle Da”  me autor dhe ilistruesAnja Tuckermann dhe Tine Schulz, romani “Konradi – djali i kutisë së konservës”, nga Christine Nöstlinger.Arian Leka do të përurojë gjithashtu në stendën e “Botimeve POETEKA” edhe dy librat e tij në gjuhën malazeze: “Jedanaest akustičnih eseja” dhe “Dolap ”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë