Libra

Panairi i Librit në Prishtinë, Kadare dhe Qose të ftuar nderi

Edicioni i 23-të i Panairit të Librit në Prishtinë mbylli dyert mbrëmjen e së dielës (11 qershor), pasi mikpriti mijëra qytetarë dhe ofroi dhjetëra tituj të rinj librash të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj.

Me moton “Libri triumfon”, Panairi i këti viti, i cili u organizua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës gumëzhiu prej 5 ditësh nga 9:00-20:00, duke sjellë më afër lexuesit librat dhe autorët e tyre.

E veçanta e këtij viti në panairin e librit ishte prezenca e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili edhe promovoi  veprat e tij të përmbledhur në 7 vëllime, së bashku me botuesin e tij, Bujar Hudhri.

Ismail Kadare në Panairin e Librit në Prishtinë

Para të pranishmëve, shkrimtari Ismail Kadare teksa shprehu gëzimin për praninë e tij në këtë panair, tha se ai shpreson se letërsia shqiptare do të rikthehet më mirë e më e fortë.

Një tjetër i ftuar nderi në Panairin e Librit “Prishtina 2023”, ishte dhe shkrimtari dhe akademiku i rëndësishëm shqiptar, Rexhep Qosja.

Proza e tij artistike është cilësuar si gurthemel i prozës postmoderne shqipe.

Shtëpia botuese “Toena”, që ka ekskluzivitetin e botimit të veprave të Qosjes, tashmë ka botuar vëllimin e nëntë të ditarit të tij, të titulluar “Dëshmitar në kohë historike”.

Dy të ftuarit e nderit këtë vit në Prishtinë janë dy emra kulmorë të letërsisë dhe mendimit shqiptar.

Shtëpitë botuese pjesëmarrëse në këtë panair vlerësuan se ky edicion ka shkuar më mirë se ai i një viti më parë.

Këtë vit morën pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj ishte rreth 2000. Ndërkohë, numri i titujve të viteve të fundit rreth 6000.

Në këtë panair u shënuan edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Përgjatë 5 ditëve ka pasur mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku ka spikatur kurorëzimi i veprimtarisë letrare të shkrimtarit Ismail Kadare, me botimin shtatë vëllimesh të veprave letrare, të cilat përfshijnë shtatë dekada krijimtari si dhe promovimi i Vëllimit IX të Ditarit të akademikut Rexhep Qosja.

Të pranishëm kanë qenë edhe shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë