Politike

Paloka: Në Durrës fitojmë 8 mandate, pse diversiteti me LSI s’na pengon si koalicion

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, flet për "Gazeta Si" për Durrësin dhe parashikimet e PD për zgjedhjet e 25 Prillit

Për nënkryetarin demokrat, Edi Paloka, nuk është hera e parë që shkon drejtues i një qarku në emër të PD për të drejtuar zgjedhjet.

Kësaj here, ai është angazhuar në Durrës, me synimin për të përmbysur raportin e rezultatit që prodhuan zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Në një intervistë për gazetën “Si" (https://gazetasi.al), Paloka thotë se në Durrës do të ketë përmbysje të rezultatit në favor të PD-së me 8 mandate, ndërsa flet edhe për bashkëpunimin me LSI dhe diversitetin që ajo po shpalos në program, qoftë edhe për Durrësin.

Qëllimi që i bashkon partitë në opozitë, sipas Palokës, është largimi i kryeministrit Edi Rama.

Paloka jep një parashikim edhe sa mandate synon opozita në zgjedhjet e 25 Prillit; minimalisht 84.

Z..Paloka, zgjedhjet e fundit parlamentare PD nuk mori rezultatin e kërkuar. Raporti ishte 8, 4 dhe 2 nga LSI. Kësaj here skema ndryshon për LSI, por jo për PD? A keni ju një parashikim të qartë për Durrësin? A mund të rikuperoje PD dhe sa konkretisht, duke pasur parasysh se PS-ja synon të ruajë mandatet, nisur nga faktori “Koka” që zgjedhjet e kaluara i siguroi LSI një mandat deputeti, por edhe mundësisë që Rama mund të kandidojë vetë në atë qark?

Fillimisht dua të të bëj një “korrigjim”, nuk ka pasur “zgjedhje” në 2017. Asnjë element të zgjedhjeve nuk kishte procesi që u zhvillua në 2017 e këtu nuk e kam fjalën vetëm për çfarë është bërë tashmë publike nga “Bild” por dhe për fenomenet e tjera, përfshi dhe ato që ishin për shkak të gabimeve tona.

E them këtë për t’ju bërë të qartë që asnjë krahasim nuk mund të bëhet mes asaj çfarë ndodhi në 2017 me situatën ku jemi sot.

Po duke iu përgjigjur direkt pyetjes tuaj, unë ju them me bindje se në Durrës (si qark) do ketë përmbysje të rezultatit, minimalisht opozita do të marrë 8 mandate.

Pak ditë më parë, LSI-ja prezantoi programin e saj për Durrësin duke propozuar dy zona të lira ekonomike Durrësi 1 dhe Durrësi 2? Çfarë mendon PD për këtë propozim dhe a keni ju një bashkërendim punësh me LSI-në mbi ofertën që duhet te jepni në zgjedhje?  Po ne terren?

Sot opozita është bashkuar në koalicionin më të madh e më të fuqishëm që ka njohur historia e pluralizmit në vendin tone.

Sigurisht çdo parti ruan profilin e saj politik, po me gjithë diversitetin që ka ky koalicion, ne kemi një qëllim të parë madhor e të përbashkët; të largojmë të keqen që quhet Edvin Rama.

Ajo që është e rëndësishme po ashtu, ka të bëjë dhe me qeverisjen e ardhshme. Siç jemi sot në koalicion, ashtu do jemi dhe nesër në qeverisje duke bërë një adoptim dhe përafrim të programeve tona në atë që do jetë programi qeverisës.

Të gjitha programet e të gjitha partive të koalicionit kanë synime të përbashkëta; frenimin e të keqes dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët e kjo mendoj që është më e rëndësishmja.

Partia Demokratike ka prezantuar një program ambicioz për zgjedhjet, ndërkohë po aq ambicioze besoj ajo është edhe për të rikuperuar në numër mandatesh zgjedhjet e 25 prillit. PS e ka shprehur prej kohësh se synon të ruajë mandatet që ka, 74. 

PD-ja në anën tjetër (pa LSI) sa mandate parashikon të rikuperoje?

 Unë nuk i kam shumë qejf këto lojërat me shifra, por mund t’ju them me siguri që fitorja e opozitës do të jetë e nivelit që të na lejojë nesër të rregullojmë edhe katrahurën që Rama ka bërë me Kushtetutën duke e trajtuar si statut të “Rilindjes”. Pra minimalisht mbi 84 mandate.

Intervistoi: Nevila Perndoj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë