Politike

PD tregon faktet se avokati i PS ka lidhje me kompaninë që siguron Rinasin

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në lidhje me grabitjen e miliona eurove në Rinas, tha se kjo ngjarje është dëshmi për dështimin e qeverisë në çështjet e sigurisë.

Në një deklaratë për mediat, Paloka akuzoi avokatin e kryeministrit Edi Rama, Eno Bushi se gënjeu dje, kur deklaroi se nuk ka lidhje me kompaninë ICTS, përgjegjëse për sigurinë brenda aeroportit.

“Grabitja është dëshmia që qeveria ka dështuar për të garantuar siguri. Kompaninë ICTS me qeverinë e Ramës e lidhin disa fije, duke filluar nga avokati i tij. Eno Bushi gënjeu dje kur deklaroi se nuk ka lidhje me ICTS, përgjegjëse për sigurinë brenda aeroportit. Ai gënjeu kur tha se ngatërresa ndaj tij është e qëllimshme”, u shpreh Paloka.

Paloka nga selia blu publikoi fakte siç tha, që lidhin avokatin e kryeministrit Rama, me kompaninë që merr 2 milion euro për sigurinë e aeroportit të Rinasit.

“Kompania ICTS Albania dhe kompania ku avokati i Ramës kishte 25% të aksioneve (ICT Albania INTEGRATED SERVICES) janë e njëjta kompani, kanë një pronar ICTS Europë. Të dyja kompanitë janë regjistruar nga i njëti person Panagiotis Kampouroglou.

Të dyja kompanitë kanë të njëjtin administrator Aldi Molloholli, kanë të njëjtin drejtor teknik për sigurinë, kanë ndryshuar adresë në të njëjtën kohë, në vitin 2011. Më pas të dyja kompanitë kanë ndryshuar pronarë duke kaluar nga hollandezët tek finlandezët”, u shpreh nënkryetari i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë