Futboll

Palmeirasi kampion i Brazilit, Santosi për herë të parë në histori bie nga kategoria

Gazeta Si – Titulli i dytë radhazi dhe i 12-ti në histori për Palmeirasin. Për klubin e Pele ka rezultuar fatale humbja me Fortalezan dhe për herë të parë në histori nuk do të jetë pjesë e futbollit elitar brazilian.

Triumfon sërish Palmeirasi i talentit Endrik. Për të dytin sezon radhazi dhe për herë të 12-të në histori është shpallur zyrtarisht kampion i Brazilit. Praktikisht, titulli ishte siguruar që një javë më parë, falë 3 pikëve avantazh ndaj ndjekësve dhe me një diferencë golash të konsiderueshme.

Palmeirasi është kënaqur me një barazim 1-1 në ndeshjen e fundit me Kruzeiron. Për kampionët shënoi 17-vjeçari Endrik, që në qershor do të kalojë te Real Madrid.

Klubi i themeluar nga komuniteti italian në San Paolo e ka mbyllur kampionatin me 70 pikë, 2 më shumë se Gremio i Luis Suarez, që ka shënuar një dygolësh në ndeshjen e fundit në Brazil, në ‘Maracanà’.

Javën e fundit të kampionatit gjithë vëmendja ishte te lufta për mbijetesë mes Bahias, Vasko da Gamas dhe Santosit. Më keq shkoi për Santosin, që më pak se një vit nga vdekja e Pelèsë, i cili e bëri të famshëm këtë klub në gjithë botën, ka rënë nga kategoria. Fatale ishte humbja 2-1 në shtëpi ndaj Fortalezas, ndërsa rivalët fituan. Santosi për herë të parë në histori do të luajë në divizionin e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë