Politike

Pakti Rama-Meloni për kamp refugjatësh në Shëngjin / Berisha: E papranueshme, marrëveshja shkel Kushtetutën

Përmes një konference për mediat, Sali Berisha ka renditur arsyet se pse sipas tij marrëveshja Rama-Meloni për kampin e refugjatëve në Shengjin dhe Gjadër është e papranueshme

“Për PD-në, marrëveshja e djeshme surprizë, e firmosur në Romë nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama, pas një përgatitje sekrete, është e dëmshme dhe e papranueshme për arsyet që vijojnë.

-Marrëveshja nxit një valë ksenofobie dhe kjo dëmton rëndë moralin dhe virtytin e mikpritjes të kombit shqiptar.

-Marrëveshja bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut për të drejtat e Njeriut. Shqipëria ka historinë e saj të shkuar të zezë diktatoriale në raport me të drejtat e njeriut.

Por Shqipëria sot në narkoregjimin e Edi Ramës, është vendi i përqendrimit të mbi 90 përqind të pushtetit në duart e një njeriu, është vendi i mohimit të hapur i të drejtave kushtuese të qytetarëve dhe deputetëve të saj, është vendi i proceseve dhe burgosjeve politike.

PD deklaron se narkoregjimi i Edi Ramës nuk mund të garantojë respektimin më minimal të të drejtave të refugjatëve. Dëshmi e kësaj është trajtimi çnjerëzor me pasoja vdekje i refugjatëve iranianë në kampin e Manzës disa muaj më parë nga policia shqiptare”, tha Berisha.

“Territori i saj kontrollohet gjerësisht nga grupet kriminale kombëtare dhe ndërkombëtare të trafikut të drogës, të lidhura siç faktojnë dekodimet e bisedave dhe mesazheve të enkriptuara, në nivelin më të lartë të pushtetit, Edi Ramën, Taulant Ballën, qeveritarë dhe zyrtarë të tjerë.

Kështu që ngritja e kampeve të refugjatëve në territorin e Shqipërisë rrezikon të amplifikojë në mënyrë katastrofale, trafiqet kriminale njerëzore, tregtinë e skllevërve, tashmë problematike në vendin tonë.

PD vlerëson se vendosja e kampeve të refugjatëve në Shqipëri, ku shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin, përbën rrezik serioz real për vendin”, renditi Berisha.

Ai thekson se firmosja e kësaj marrëveshje nga Edi Rama është bërë për pushtet personal.

.”.. Edi Rama është i aftë të firmosë dhe të bëjë gjithçka për veten e tij që të fitoj sadopak mbështetje që nuk e meriton.

Duke shprehur mirënjohje më të thellë dhe konsideratën më të thellë për Italinë mike, kombin italian dhe autoritetet italiane, PD deklaron se nuk mund të pranojë një marrëveshje që vjen në shkelje të hapur të Kushtetutës së vendit, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ligjeve ndërkombëtare të refugjatëve dhe marrëveshjes bilaterale shqiptaro-italiane për refugjatët.

PD garanton Italinë, popullin dhe autoritetet e vendit mik, se ajo sikundër sot, mbetet e vendosur të punojë ngushtë me ta në çdo fushë, për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me bregun tjetër të Adriatikut.

Shqipëria për Italinë ka nevojë për investime, ka nevojë për turistë dhe ata janë shumë të mirëpritur”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë