Lajme

Pakti për Universitetin, edhe studentët në bordet e administrimit

Një nga kërkesat e studentëve për rritjen e peshës vendimarrëse brenda universiteteve, duket se do të realizohet.

Në plotësim të kësaj kërkese, si pjesë e Paktit për Universitetin, qeveria vendosi që që në Bordet e Administrimit të Studentëve të ketë një përfaqësues nga studentët dhe në çdo Fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në Senatin Akademik.

“Senatet ligjërisht janë të lirë, që ndër vendet që ata kanë në Borde, të propozojnë një prej studentëve anëtar Senati, apo drejtues të Këshillit Studentor. Nëse kjo vendoset në Statutin e Universitetit, prezenca normohet definitivisht”, shkruhet në Paktin për Universitetin.

Qeveria ka vendosur që në bordet e administrimit të universiteteve të ketë një numër të barabartë votash mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësuesve të Universitetit. Njëri prej anëtarëve që emërohet prej MASR do të vijë propozim nga studentët.

Gjithashtu është vendosur që të rritet nga 10 në 50% pesha totale e votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë e rektorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë