Analize

Pakti Kosovë-Serbi e zbyth Putinin nga Ballkani

Ndërkohë që bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë po hyjnë në fazën përfundimtare, Perëndimi ka tanimë një mundësi unike për pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve duke zgjidhur jo vetëm ngërçin që po mban peng Prishtinën dhe Beogradin, por edhe duke e zvogëluar ndikimin e Rusisë në Ballkan. Pas arritjes së marrëveshjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë, bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, i vetmi konflikt që po pengon integrimin europian të rajonit është ai mes Serbisë dhe Kosovës. Fundi i mosmarrëveshjeve mes tyre do të përmirësonte jo vetëm marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve, por edhe do të zvogëlonte ndikimin e Rusisë në rajon, e cila njihet për afrimitetin me Beogradin, lidhjet në Shqipëri, organizimin  e grushtit të shtetit në Mal të Zi dhe korruptimin e zyrtarëve maqedonas dhe grekë për të penguar arritjen e marrëveshjes së emrit. Për Putinin, ta mbajë këtë cep të Europës sa më të paqëndrueshëm të jetë e mundur, është tashmë pjesë e politikës së tij së jashtme. Perëndimi nga ana tjetër, po pyet prej kohësh veten se si mund të mbajë Rusinë larg Ballkanit, pa e kuptuar së përgjigjja po qëndron para syve: fundi i konflikteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Çështja e Kosovës afroi Serbinë dhe Rusinë

Për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, dy vendet  ishin në kundërshtim me njëra-tjetrën. Lidhja e serbo-ruse që luajti një rol kritik në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, por më vonë Jugosllavia mbajti një qvndrim krejtësisht anti-sovjetik, jo vetëm për shkak të frikës së dinastisë së Karadorgjeviçit, por edhe për shkak të lidhjeve të ngushta të mbretit Aleksandër me anëtarët e aristokracisë ruse. Edhe pse fillimisht ishin një instrument i ndikimit sovjetik jashtë vendit, komunistët jugosllavë u bënë të pavarur  dhe u kthyen në udhëheqës të një lëvizjeje antifashiste në Luftën e Dytë Botëror. Që nga ajo kohë, Jugosllavia e atëhershme komuniste dhe Blloku Sovjetik u angazhuan në një mini-Luftë të Ftohtë, ndërkohë që Perëndimi që mbështeste Jugosllavinë. Por, pas rënies së Jugosllavisë Komuniste në vitin 1991 dhe izolimit të Serbisë në arenën ndërkombëtare,  Beogradi gjeti strehë tek Rusia, jo vetëm për mbështetje ekonomike dhe ushtarake por edhe për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës.

Rimëkëmbja e shpejtë ekonomike e Rusisë në fillim të viteve 2000 zgjeroi kapacitetin e Kremlinit për të projektuar përhapjen e ndikimit jashtë vendit dhe për t’u siguruar mbështetje të fuqishme aleatëve të mundshëm. Ballkani dhe Europa Qendrore ishin shënjestrat kryesore, por Serbia fillimisht nuk tregoi interes. Megjithatë, mundësia e artë e Rusisë erdhi në vitin 2006 dhe 2007, gjatë bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës. Serbia nuk pranoi të njihte zyrtarisht Kosovën duke humbur kështu edhe përkrahjen e fundit që i kishte mbetur në Perëndim. Kur ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari propozoi pavarësinë e mbikëqyrur, Rusia vendosi të mbështesë sërish Serbinë për të bllokuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës.  Moska kundërshtoi ashpër shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt të 2008-ës dhe kërcënoi Kosovën me pasoja të rënda.

Nga ana tjetër, falë mbështetjes së Rusisë, Serbia siguroi një levë të fuqishme diplomatike në arenën ndërkombëtare. Moska rriti vazhdimisht ndikimin në Ballkan,  falë koncesioneve periodike, korruptimit të zyrtarëve vendas dhe lidhjet ekonomike dhe politike me vendet e tjera të rajonit.

Vladimir Putin dhe Aleksander Vucic

Rusia kthen sytë nga Shqipëria

Bashkimi Europian ka deklaruar  se pas gati dy dekadash që liheshin në pritje Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i zi dhe Serbia do të behën pjesë e unionit europian në 2025-n, por gjëja e fundit që do të donte Kremlini është integrimi europian i Ballkanit dhe formimi i një zinxhiri të pandashëm shtetesh anëtare të BE nga Egjeu deri në Alpe. Ndër të tjerash, Rusia ka kthyer tanimë vëmendjen drejt Shqipërisë, e cila është në pritje të negociatave për anëtarësim. Sipas një artikulli të botuar nga gazeta britanike “The Independent” disa muaj më parë, Putin është duke u munduar  të ketë kontakte të besuara edhe në politikën shqiptare, kryesisht në mesin e opozitës. “The Independent” shkruante se: “Një kërkesë kyçe nga Brukseli është që Shqipëria të pastrojë sistemin gjyqësor, duke zëvendësuar gjykatësit e akuzuar për korrupsion gjatë drejtimit të gjatë të së djathtës me Partinë Demokratike, lideri i përhershëm i së cilës, Sali Berisha, i cili çoi drejt rënies së ekonomisë postkomuniste shqiptare kur nxiti një skemë piramidale investimi që u kushton shumicës së shqiptarëve kursimet e tyre të jetës. Shefja e politikës së huaj të BE-së, Federica Mogherini u përball me fyerjet e pasuesit të Berishës, Lulzim Basha, kur ajo nguli këmbë të zëvendësonte gjykatësit e dyshimtë, të cilët njiheshin për marrëdhënit miqësore me politikanët e Partisë Demokratike. Basha e akuzoi se fliste “gjepura” sepse guxoi të insistonte për kërkesën e BE-së që të pastrohej drejtësia. Përkundrazi, i lideri i PD shkoi në Amerikë të kërkonte mbështetje nga administrata e Trumpit. Një lobisti amerikan u pagua 875,000 dollarë që ta nxirrte Bashën në foto me Presidentin Trump në një event bamirësie. Pyetja është, kush e pagoi 875,000 dollarë?”

Gazeta britanike i referohej hetimeve të “Mother Jones”, “BIRN” dhe “Herald” në Glasgou,  të cilat tregonin se nga paratë e oligarkëve të Putinit janë kanalizuar përmes një kompanie guackë në Edinburg dhe i janë dhënë një firme lobimi në Uashington. Pothuajse brenda natës Partisë Demokratike iu vunë në dispozicion një milion dollarë për t’u afruar me administratën amerikane me shpresën se votuesit pro-amerikanë do ta mbështesin partinë shqiptare që do te ishte  më të afërt me Trump. Gazeta britanike theksonte ndër të tjera se: “Nëse Partia Demokratike do e kishte mundur socialistët në pushtet, do të kishte pasur një përplasje të fortë me Brukselin dhe shpresat e shqiptarëve për anëtarësimin në BE do ishin copëtuar. Kjo i përshtatet përpjekjeve të Rusisë për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor sa më të paqëndrueshëm të jetë e mundur dhe të parandalojë që BE-ja të normalizojë rajonin. Ka shumë faktorë të që luajnë rol, përfshirë mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Shkupi lidhur me emrin e Maqedonisë, që mund ta frenojnë anëtarësimin në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. “

Presidenti Donald Trump dhe Lulzim Basha 

Si mund të mbahet Rusia “larg” Ballkanit?

Anëtarësimi në BE do të zgjidhte problemet ekonomike papunësinë e lartë dhe emigrimin e të rinjve nga vendet e Ballkani. Pothuajse të gjitha vendet e rajonit kanë bërë sakrifica të dhimbshme për të ndjekur rrugën europiane. BE-ja duhet të bëjë të pamunduarën për mos ta lënë Ballkanin në duart e Rusisë.

Ekspertët shprehen se humbja më e madhe e Rusisë do të ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe anëtarësimi i rajonit në BE. Arritja e një kompromisi jo vetëm që do të lejonte serbët dhe shqiptarët të fillonin të shëronin plagët e vjetra, por gjithashtu do të hapte rrugën bashkëpunimit ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë, i cili nuk është parë që nga Mesjeta. Arritja e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës do të zvogëlonte varësinë e Serbisë nga Rusia, duke sjellë kështu edhe dobësimin e ndikimit rus në rajon.

Kjo marrëveshje do të konsolidonte më tej Serbinë dhe Kosovën në trajektoren integrimit europian dhe NATO-s. Sigurisht arritja e kompromisi do të zgjonte reagimin e grupeve ekstremiste dhe krimit të organizuar , të cilat do të humbitnin të ardhura të konsiderueshme nga çdo normalizim i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Interesat e tyre duket se përkojnë me  ato të aktorëve të huaj, të cilët duan ta shohin Ballkanin politikisht të fragmentuar. Perëndimi jo vetëm që do të duhet të lëvizë shpejt, nëse dëshiron të përfitojë nga mundësia që e artë që po i jepet, por gjithashtu do të duhet të shfaqë fleksibilitet maksimal për të lejuar të Beogradi dhe Prishtina të gjejnë një kompromis, i cili do të funksiononte për të dyja vendet. Vetëm atëherë Perëndimi do të korrte fitoren e parë kundër Rusinë dhe përhapjes së saj në Ballkan.

Burimet: "The German Marshall Found of USA", "The Independent" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë