Politike

Pakti i ri me PS / Për koalicionet, opozita e re kërkon ulje pragu

Deputetët e opozitës parlamentare kërkojnë të ndryshojnë propozimin që ata vetë kanë depozituar në Kuvend për uljen e pragut electoral për partitë nga 5% në 2%.

Pasi PS-së i leverdisi propozimi i disa deputetëve të opozitës së re për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, nga këta të fundit vjen një tjetër propozim për ulje pragu, që atyre u përshtatet.

Pra një marrëveshje krejt e dukshme ku secila prej palëve që është futur në këtë proces merr atë që i leverdis.    

Në komisionin e Ligjeve (që nuk vendos asgjë) u diskutua për ndryshimet kushtetuese të një grupi deputetësh, të cilët mëngjesin e së henës erdhën me një propozim të ri.

Përpos listave të hapura apo ndalimit të koalicioneve që i shkon për shtat PS-së, deputetët e opozitës parlamentare  kërkuan ulje të pragut nga 5% në 2%. Propozimi erdhi nga relatori i draftit Korab Lita dhe u mbështet më pas edhe nga Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari.

Nga ana e tyre deputetët e mazhorancës nuk ishin me një qëndrim të unifikuar për propozimin e ri.

Deputeti i PS-së, Alket Hyseni, nuk ishte për ulje pragu deri në 2% duke sjellë eksperiencën e vendeve të tjera. Megjithatë, ai ia la ekspertëve ta gjykojnë dhe në fund të vihej me një draft të dakordësuar.

Edhe Bashkim Fino u shfaq tërë pezm teksa deputetët e opozitës po këmbëngulnin vetëm në një pikë (atë të uljes së pragut), duke theksuar se këtë duhet ta vendosin ekspertët dhe relatorët.

Ulsi Manja propozoi që të mos humbet kohë dhe propozimet e reja të adresohen me shkrim dhe mbasditen e të hënës të rimblidhej sërish komisioni i Ligjeve, për të prekur edhe nenin tjetër që ka lidhje me ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Diskutimet u lanë pezull për t’ia lënë radhën ekspertëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë