Politike

Heqja e koalicioneve, opozita: Akt i pashoq me pasoja të paparashikueshme

Opozita jashtëparlamentare ka dalë me një deklaratë të përbashkët ku dënon atë që e quan "tentativë të Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore".

"Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian", thuhet në deklaratën e Opozitës së bashkuar.

Opozita thitë se ky veprim djallëzor ka vetëm një qëllim

"Po kryhet vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe motivohet prej frikës së tij nga zgjedhjet. Ai dëmton rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë braktisur dhe tradhëtuar nga kryeministri në ikje, duke i lënë të vetëm përballë krizës më të thellë të pandemisë dhe atë ekonomike që është pasojë direkte e dështimit dhe papërgjegjshmërisë së tij dhe qeverisë së tij", vijon deklarata.

Opozita e bashkuar kujton se kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje.

"Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane", thuhett në deklaratë.

Në lidhje me këtë nismë të socialistëve, opozita e bashkuar thotë se ka njoftuar Presidentin Ilir Meta dhe partnerët ndërkombëtarë. Në lidhje me nismën, opozita paralajmëron pasoja.

"Opozita e Bashkuar ka informuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme", vijon deklarata.

Në fund, opozita kërkon miratimin e ndryshimevr në Kodin Zgjedhor në frymën e marrëveshjes së 5 qershorit dhe kujton se kjo marrëveshje u përshëndet nga ShBA dhe BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë