Politike

Pakti Detar, Rama kundër Metës: Parlamenti është sovran

Bledar Hoti – Çështja e Paktit detar dhe firmosja e marrëveshjes me Greqinë shkakton përplasje mes krerëve të lartë të shtetit shqiptar.

Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmë në emisionin “Real Story” në Vizion Plus u shpreh kundër qëndrimit të deklaruar nga presidenti i Republikës, Ilir Meta se nuk mund të ketë firmosje dhe ratifikim të marrëveshjes me Greqinë pa pasur të plotë me 9 anëtarë Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri deklaroi se nëse do të ketë një arritje të marrëveshjes me shtetin fqinj, atëherë Parlamenti do ta ratifikojë pa pritur që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale.

Rama tha se “kam besim se në fund do të dalim me sukses, ku do të realizojmë objektivat që kemi pasur. Për sa i përket asaj që tha Presidenti, çështja është se përmbyllja e negociatës në nivel teknik, nuk mund të bëhet vetëm nga kryeministrat dhe sigurisht kryeministrat mund ta mbështesin dhe ta firmosin marrëveshjen. Ka dy palë por është dhe pala tjetër”.

Më tej ai e cilëson qëndrimin e kreut të shtetit si një opinion sa i përket Gjykatës Kushtetuese.

“Për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ai është një opinion i Presidentit, por Parlamenti është sovran në këtë pikë. Nëse ne do të realizojmë një marrëveshje ne do ta kalojmë në Parlament dhe pastaj Gjykata Kushtetuese vërtetë sot nuk mund të gjykojë, por është e hapur, kush ka pretendime mund të regjistrojë apo ta depozitojë pretendimin, nuk është se humbet afati”, – tha kryeministri.

I pyetur se Presidenti po bllokon një marrëveshje, Rama tha se “Presidenti nuk po bllokon, ai nuk është pengesë. Kam pas komunikim me Presidentin, ai është me të drejtë i fokusuar, i interesuar në çdo detaj, i dëshiruar që të kemi një marrëveshje pozitive dhe të suksesshme nga ana jonë. E kam thënë edhe më parë, ka pasur një rol që e ka ndihmuar procesin, duke kërkuar shumë nga pikëpamja e dokumentacionit, ai ka arritur të krijojë  një rekord që nesër, pasnesër jo për kritikë, por për historinë, arkivat, transparencën dhe në aspektin kushtetues të ketë gjithçka kushtetuese dhe nuk shoh tendencë”

Por pavarësisht se Kryeministri e cilëson qëndrimin e Metës si opinion të numrit një të shtetit shqiptar, Presidenti është një faktor në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.  Sipas ligjit të posaçëm të miratuar në 2016, marrëveshje të tilla “mund të nënshkruhen nga Presidenti i Republikës ose nga Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave apo çdo zyrtar i lartë, në çdo rast me autorizim nga Presidenti i Republikës”.

Presidenti Meta në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” disa ditë më parë u shpreh se nuk duhej të miratohej një marrëveshje me Greqinë, që parashikon ndarjen e kufirit detar mes dy shteteve, pa qenë e plotë Gjykata Kushtetuese dhe se këtë gjë ia ka ngritur dhe bërë të qartë dhe kryeministrit Edi Rama.

“Është çështje shumë e rëndësishme dhe ka gati më shumë se 10 vite që nuk është zgjidhur ende dhe për të cilën ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, dua të them që unë kam bërë përpjekjet e mia maksimale në mënyrën më konstruktive për t’i kontribuar zgjidhjes së drejtë të kësaj çështjeje dhe jo ndërlikimit të mëtejshëm të saj. Sepse kjo është një çështje delikate tek ne, por është një çështje delikate edhe në Greqi, kështu që kam bërë gjithçka. Me kryeministrin Rama kemi pasur një dakordim të plotë. Kemi pasur disa mosmarrëveshje me Ministrin Bushati për këtë çështje. Dhe ia kam bërë të qartë kryeministrit që ai, në rast se ai është i bindur se është tërësisht e mundur për t’u finalizuar një marrëveshje e tillë, ai do ta ketë autorizimin nga ana ime, si kryeministër, por edhe si shef i mazhorancës, sepse është një marrëveshje që duhet të kalojë në parlament. Por, natyrisht ia kam bërë të qartë dhe më duhet ta them edhe këtu, se është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përndryshe, kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështjeje në interes të dy vendeve”, tha Meta gjatë intervistës në VOA.

Për këtë çështje ka pasur edhe një përplasje me Presidentit dhe kryediplomatit Ditmir Bushati, i cili ka është shprehur i çuditur ndaj reagimit të Metës, se ka pasur mosmarrëveshje mes tyre.

 “Negociatat nuk kanë përfunduar. Nëse do të përmend një shprehje popullore ne nuk mund të bëjmë dasëm, kur nuk kemi çiftin. Pra në rastin në fjalë negociatat nuk kanë përfunduar, dhe deri në momentin që negociatat do të përfundojnë, ne e konsiderojmë veten pjesë të një ekipi, përfshirë Presidentin e Republikës. Në momentin që do të përfundojë e gjithë puna teknike që po zhvillohet nga ekspertët, dosja do të dorëzohet pranë Presidentit të Republikës, ku ekipi i ekspertëve do të bëjë vlerësimin përfundimtar mbi përputhshmërinë e asaj çka do të jetë arritur me mandatin që ka lëshuar Presidenti i Republikës për këtë çështje”, deklaroi Bushati.

Konflikti mes Presidentit dhe Kryeministrit u bë publik kohë më parë edhe nga kryediplomati grek Nikos Kotzias, i cili theksoi se marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk po realizohet, për shkak të përplasjes mes Metës dhe Ramës.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është e bllokuar sepse vetëm 3 nga 9 anëtarët e saj u rikonfirmuan në detyrë pas përfundimit të procesit të rivlerësimit. Ende nuk dihet se kur mund të plotësohen këto vende vakante, përderisa akoma nuk është ngritur Këshilli i Emërimeve të Drejtësi, i një organ i ri që do të krijohet pas procesit të Vettingut, e që parashikohet të bëjë emërimet reja në sistemin e drejtësisë.

Marrëveshja e Paktit Detar me Greqinë u firmos fillimisht në prill të vitit 2009, kur në qeverinë e drejtonte e djathta me kryeministër Sali Berishën. Pakti i denoncuar nga media, pasi merrte territorin ujor shqiptar solli më pas ankimin e marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese, nismë e ndërmarrë nga PS-ja, atë kohë në opozitë. Më 26 nëntor Gjykata Kushtetuese me votë unanime 9 me 0, vendosi rrëzimin e kësaj marrëveshjeje, duke e quajtur të pavlefshme.

Kjo është arsyeja se pse Gjykata Kushtetuese duhet të jetë funksionale e plotë, pasi kjo marrëveshje sensitive dhe që ka shkaktuar përplasje politike dhe akuza për tradhti duhet të kalojë edhe filtrin nga ky institucion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë