Treg

Pak lekë, shumë burokraci – Pse dështoi subvencionimi i blegtorëve

Sabina Veizaj - Ervin Resuli prodhon 360 mijë litra qumësht në vit. Ai ka një fermë të madhe në zonën e Myzeqesë dhe është i regjistruar si person fizik. Me profesion është veteriner dhe ekspert i sigurisë ushqimore.

Ai thotë se është rimbursuar nga Agjenzia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) deri në muajin mars për qumështin që ka prodhuar.

Por Ervin Resuli shprehet me bindje për Gazetën “Si” se skema e subvecionimit të blegtorëve ka dështuar, e para për shkak se fondi për 2019-ën ka qenë i limituar (80 mln lekë) në raport me numrin e fermerëve dhe e dyta nga mungesa e informacionit: koha e kufizuar për të aplikuar ka ndikuar që ky proces të mos shkonte në të mirë të fermerëve.

“Unë nuk pres të kompensohem më sepse limiti që ka vendosur qeveria është 70 mijë litra në vit për fermer ose 700 mijë lekë. Dhe që skema ka dështuar, nuk e them për vete, por për të gjithë fermerët që nuk janë rimbursuar; janë në listë pritjeje, apo nuk kanë arritur të aplikojnë për shkak të burokracive, dokumentacion i tepruar, mungesë informacioni dhe kohë e paktë për të aplikuar, 1 muaj. Si unë janë 40 ferma në të gjithë Shqipërinë, pjesa tjetër 60 mijë janë të vogla që kanë nevojë për mbështetje”, shprehet Resuli.

Përgjigja e AZHBR-së ndaj një fermeri që ka aplikuar për rimbursim

Sipas tij qasja ndaj fermerëve në Shqipëri është më e dobta në rajon.

Ai thotë se fermerët po falimentojnë, pasi kompanitë e mëdha të prodhimit të qumështit i janë drejtuar rajonit për t'u furnizuar sepse nuk duan të paguajnë hendekun 14% të TVSH-së.

Sipas ekspertit kontabël Eduart Sharka, i cili është dhe një prej nismëtarëve të Shoqatës “Fermerët e Myzeqesë”, vendimi për të rimbursuar blegtorët 10 lekë/ litër qumësht ishte një gafë në aspektin fiskal dhe një improvizim i shpejtë për të zmbrapsur fermerët.
“Nga 60 mijë fermerë të formalizuar kanë aplikuar për t'u rimbursuar vetëm 3000 mijë të tillë. Me fondin në dispozicion prej 84 mln lekësh dhe me një limit për çdo subjekt prej 700 mijë lekësh në vit, fondi ezaurohet me 125 ferma të vogla. Por edhe ata që kanë aplikuar, një pjesë janë në listë pritjeje”, thotë Sharka për Gazetën “Si”.

Deri më 31 dhjetor 2018 fermerëve u njihej TVSH-ja, por ata nuk ishin të detyruar ta paguanin. Nëpërmjet certifikatës janë toleruar nga TVSH-ja 20%, (jo rimbursuar) pasi ata nuk kanë qenë të regjistruar nën regjimin normal të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe nuk kanë pasur si të paguajnë 20% për çdo njësi prodhimi bujqësor të shitur sepse nuk ishin subjekt tatimor.

Pasi kjo skemë qeverisë i rezultoi abuzuese nga ana e tregtarëve, grumbulluesve dhe eksportuesëve, të cilët mendohet të kenë përfituar në vend të fermerëve përmes letrave fiktive rimbursim TVSH-je mbi 100 mln euro, qeveria vendosi që përmes paketës fiskale të 2019 të ndryshonte regjimin fiskal për fermerët.

Kjo skemë parashikon që për të gjitha produktet bujqësore në blerje do të njihet 6% e TVSH-së dhe në shitje 20% e saj. Por kjo skemë rimbursimi është vetëm për blegtorët.

Eksperti Sharka gjykon se kjo mënyrë është gafë e rëndë fiskale sepse shkel nenin 2 të ligjit për TVSH-në i cili detyron tatim mbi çdo vlerë që i shton produktit.
Dhe - thotë ai - subjekti ndërmjetës dëmtohet, pasi përveç 20% tatim mbi vlerën që ai i shton produktit, duhet të paguajë edhe 14% të vlerës së krijuar nga fermeri.

“Ndryshimi urdhëroi bizneset që të ulnin çmimin e blerjes tek fermeri për shkak të TVSH-së 20% dhe kjo rezultoi me efekt të rëndë për fermerin. Mënyra e rimbursimit se si e vendosi qeveria nuk është efektive. Do kohë dhe nuk arrin ti rimbursojë të gjithë”, thotë Sharka.
Sipas tij, qeveria duhet të vendosë regjim të njëjtë tatimor për TVSH-në si në blerje dhe në shitje si e ka rajoni.

Po ashtu mendon edhe Resuli, i cili është pjesë e Shoqatës “Fermerët e Myzeqesë”. Ai thotë për Gazetën “Si” se kërkesat e fermerëve në protestë janë reale.

Ai sqaron se kërkesa për të rimbursuar çdo produkt në vend sipas faturës tatimore, si për produktet blegtorale, ashtu edhe fruta-perime, etj është në ndihmë, jo vetëm të fermerëve, por të gjithë ekonomisë sepse nxit formalizimin.

Ministria e Bujqësisë thotë për Gazetën “Si” se procesi i rimbursimit të fermerëve po shkon mirë dhe kërkesat e tyre po monitorohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë