Politike

Pak ditë para Kuvendit, Berisha mbledh strukturat: Studioni pikat më nevralgjike, merrni veprime dhe qëndrime bllokuese   

Sali Berisha mbledh të shtunën Kuvendin Kombëtar. Para se të shkojë para delegetëve për vendimet e ardhshme të opozitës, Berisha ka mbledhur kryetarët e degëve dhe më pas kryesinë e PD-së së Rithemelimit.

Në fjalën e tij të gjatë hyrëse, Berisha ka thënë se duhet të fillojë mosbindja civile.

Aksioni, sipas tij, duhet të jetë jo vetëm  në Kuvend por edhe në cdo qytet.

“Beteja që bëhet në parlament, duhet të zhvillohet dhe mund të zhvillohet në çdo pikë nevralgjike të këtij regjimi, të këtij vendi.

Qëndrimit të tij antikushtetues duhet t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.

Protestën e zakonshme do e kishte kënaqësi, se është sadist, por ne duhet të heqim dorë nga protestat e zakonshme.

Protestat tona duhet ta bllokojnë regjimin. I cili nuk nguron të shfaqë të gjitha llojet e armiqësive.

A do pranojmë ne të mashtrojmë shqiptarët? Jo. Unë e kuptoj se zgjedhjet që kaluan kishin një seri dobësish dhe të metash.

Por këto nuk e justifikojnë kurrë që Bajrët, Pëllumb Gjokat, etj të votojnë votat tona.

Dita e zgjedhjeve është për votim, nuk është për konflikt, nuk është për armë. Jo. Koha para tyre është për betejë, për betejë pa kthim.

Dhe ne me Edi Ramën nuk kemi zgjedhje.

Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për të angazhuar anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë, të rinjtë në veprim pa kthim, në betejë pa kthim.

U takon ju në rrethet ku jeni, në degët ku jeni, të studioni pikat më nevralgjike dhe të merrni veprimet dhe qëndrime bllokuese. Me asgjë nuk tërhiqemi ne”, tha Berisha.

Më tej ai shtoi:“Gjithçka justifikon rrëzimi i një diktature. Kjo kërkon sakrifica, kjo kërkon guxim. Çdo mjet i mosbindjes civile është kushtetues, është legjitim ndaj një regjimi, ndaj një personi që ka uzurpuar të gjitha pushtetet.

Në rast se ne vendosim të qëndrojmë siç po qëndrojmë në parlament, ju garantoj se kohërat ai i ka të shkurtra. Se nuk ka diktaturë bande, që mund t’i rezistojë revoltës së një populli.

Por ama revolta duhet të jetë revoltë.

Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj të gjithë drejtuesit e degëve, ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët tanë, të rivlerësojnë edhe njëherë situatën në të cilën ndodhemi.

Cilido që e ndjen veten të lirë, i themi se liria e tij është kallp. Megjithatë, ta gëzojë po të dojë.

Por ata që kanë bindjen politike se pluralizmi politik është jetik, është vendimtar për një komb, për një familje, për një shoqëri që të ecë përpara, duhet të bashkohet me ne. Duhet të bisedojmë, t’i ftojmë”

Berisha nuk përjashtoi nga aksioni i tij as përfaqësues nga drejtësia.  

“I garantoj edhe ata të cilët bëjnë lakejtë e tij, që bëhen larot e tij në detyrën që kanë, do kenë fatin e tij.

Ne nuk mposhtemi. Ne i konsiderojmë ata, njëlloj siç kemi konsideruar në vitet e fundit të diktaturës, policinë sekrete shqiptare. Dhe do u rezervojmë të njëjtin vend, të njëjtin qëndrim.

Gjykatës që fshihet prapa krimit të vet dhe KLGJ-ja në vend që të mbrojë drejtësinë, të mbrojë ligjin, mbron delinkuentin.

Prokurorë që nuk duhet të jenë kurrë në përputhje me ligjin, mbahen aty si zagarë të Edi Ramës, kundër opozitës.

U ndala në këtë moment se nuk është vetëm Edi Rama. Janë edhe një grup tjetër në drejtësi, në polici”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë