Analize

Programi i frikshëm që po përdorin qeveritë në mbarë botën për të spiunuar kundërshtarët

Pegasus. Ky është emri i programit më të fuqishmëm të spiunazhit të zhvilluar ndonjëherë në histori, sigurisht nga një kompani private, e cila po përdoret nga qeveri dhe regjime në mbarë botën për të përgjuar opozitarë, gazetarë dhe aktivistë.

I ndërtuar në formën e një virusi, ai kalon në telefonin tuaj, pa e vërejtur dhe shndërrohet në një pajisje mbikëqyrjeje 24-orëshe.  Ai di të kopjojë mesazhet që dërgoni ose merrni, të kopjojë fotot tuaja dhe të regjistrojë telefonatat. Mund t'ju filmojë fshehurazi përmes kamerës së telefonit tuaj, ose të aktivizojë mikrofonin për të regjistruar bisedat tuaja. Potencialisht mund të përcaktojë se ku jeni, ku keni qenë dhe kë keni takuar.

Mjeti i përgjimit i shkallës ushtarake ka marrë vëmendjen e mbarë botës pasi gazeta britanike “The Guardian” zbuloi të hënën se Pegasus u përdor për të përgjuar telefonat e dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve. Pegasus u prodhua dhe jepet me qira nga NSO Group, një firmë izraelite.

Ky program eshte krijuar për t'u përdorur për të ndjekur terroristët nga ushtria, agjencitë e inteligjencës dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit. Sidoqoftë, Pegasus, një mjet jashtëzakonisht i sofistikuar mund t'u jetë dhënë udhëheqësve në mbarë botën, të njohur për shkeljet e të drejtave të njeriut, që kërkojnë të përndjekin armiqtë, siç është Viktor Orban apo presidenti Erdogan.

Në mesin e gazetarëve të përgjuar me këtë program ishte gazetari saudit Jamal Khashoggi, i vrarë në Stambol dhe Cecilio Pineda Birto, një gazetar meksikan i cili u vra në 2017.  “The Guardian” shkruan se ata kishin biseduar nëpërmjet celularit me qindra udhëheqës botërorë, drejtues të biznesit, aktivistë dhe gazetarë të tjerë.

Skandali u zbulua nga një organizatë jofitimprurëse me bazë në Paris dhe Amnesty International.

 Një bashkësi prej 16 organizatash mediatike arritën të identifikonin më shumë se 1000 individë në 50 shtete të cilët besohet se janë përzgjedhur për përgjim nga klientët e NSO.

Lista përfshin më shumë se 600 politikanë dhe zyrtarë, dhjetëra drejtues biznesesh dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, disa krerë shtetesh dhe mbi 180 gazetarë, përfshirë Cecilio Pineda, një gazetar meksikan që hetonte krimin, korrupsionin dhe çështjet sociale. Ai u qëllua për vdekje në mars 2017.

Gazetarë që punojnë për Associated Press, Reuters, CNN, Wall Street Journal, Le Monde dhe Financial Times, gjithashtu shfaqen në listë. Të paktën pesë gazetarë hungarezë besohet se spiunohen nga autoritetet.

Njerëz pranë Khashoggi, i cili u vra në mënyrë brutale në ambasadën Saudite në Stamboll në tetor 2018, janë pjesë e listës.

“Projekti Pegasus tregon se si pajisja e spiunazhit NSO është një armë që regjimet mund ta përzgjedhin për t’i mbyllur gojën gazetarëve, për të sulmuar aktivistët dhe për të shtypur disidentët, duke vënë në rrezik shumë jetë,” tha Agnes Callamard, Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International.

NSO Group mohoi të ketë marrë ndonjëherë një listë të njerëzve të mundshëm që duhej të sulmonte. Sipas kompanisë, teknologjia e tyre vihet në dispozicion vetëm të agjencite publike që kanë kaluar një nivel sigurie për të sulmuar kriminelët dhe terroristët.

Çfarë është Pegasus

Ai eshte një program që mundëson marrjen e informacioneve nga një kompjuter apo pajisje elektronike përmes përcjelljes së të dhënave në mënyrë të pakuptueshme dhe pakapshme nga përdoruesit.

Si çdo mjet spiunazhi,  “Pegasus” kalon pa u vënë re në celularë apo kompjuterë përmes “infektimit” nga një aplikacion apo link i rëndomtë. Më pas ai aktivizohet dhe mbledh të dhëna. Mirëpo një hulumtim i drejtuar nga Claudio Guarnieri i Amnesty International, thotë se “Pegasus” mundet ta kthejë celularin apo kompjuterin tuaj në një mjet përgjimi 24-orësh.

Ky program mundet të kopjojë dhe përgjojë mesazhet, listën e kontakteve, e-mail-et, kalendarin, historikun e kërkimeve në internet, aplikacioneve të përdorura, të mbledhë fotografi dhe regjistrojë telefonata. Mundet të filmojë pa u vënë re përmes kamerës së celularit, apo laptopit dhe të aktivizojë mikrofonat e pajisjeve elektronike për të kapur edhe biseda të zakonshme.

Po kështu programi mundet të marrë të dhëna për vendndodhjen duke aktivizuar sistemin GPS dhe është i aftë të infektojë miliarda pajisje telefonike si të sistemit IOS, po ashtu edhe Android.

Ky program është licencuar dhe tregtuar nga kjo kompani në mbarë botën. Fillimisht u pikas nga hulumtuesit në vitin 2016 pasi ishte aplikuar një teknikë infektimi e quajtur si “spear-phishing-text messages” – peshkim përmes mesazheve me tekst. Kjo teknikë përdoret duke vendosur një link përmes së cilit kalohet programi në një mesazh të rëndomtë që u kalohet përdoruesve.

Megjithatë të dhëna të besueshme tregojnë se ky program mund të kalohet edhe pa klikime gjëkundi, në sulme të ashtuquajtura “zero klik”, të cilat nuk kërkojnë ndërveprim të përdoruesve. Për këto raste shfrytëzohen të metat e sistemeve operative apo programeve të zakonshme dhe “Pegasus” përcillet përmes tyre.

Në vitin 2019 WhatsApp njoftoi se programi i NSO-së u qe dërguar të paktën 1,400 pajisjeve celulare përmes metodës “zero klik” duke kaluar përmes aplikacionit. Më konkretisht telefonat e targetuar u infektuan përmes telefonatave të cilat nuk kërkonin që përdoruesit t’i pranonin (hapnin) me patjetër.

Hulumtuesit besojnë se tashmë NSO po shqyrton pikat e dobëta të iMessage apo IOS të Apple, ndërsa kjo e fundit ka deklaruar disa herë se e përditëson sistemin vazhdimisht për t’u shmangur nga sulme të ngjashme.

Megjithatë Ammnesty International dhe një grup ndërkombëtar mediash si The Guardian, thonë se kanë mundur të gjejnë raste ku NSO ka depërtuar programin “Pegasus” edhe në sistemin IOS të Apple.

Avokatët e NSO-së e kanë cilësuar raportin e Amnesty International të bazuar në hamendësime dhe spekulime. Megjithatë ata nuk kanë kundërshtuar asnjë nga gjetjet apo përfundimet specifike.

Hulumtuesit dyshojnë se versionet më të fundit të “Pegasus” ngjiten vetëm në kujtesën e përkohshme të telefonit, dhe jo në  “hard disk”, që do të thotë se sapo telefoni të ndizet pothuajse të gjitha gjurmët e programit zhduken.

Hulumtimi për “Pegasus” ka nxitur gazetarët e mediave më të mëdha në botë që të ngrenë si shqetësim këtë mënyrë përgjimi dhe faktin se ai është “praktikisht i pakapshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë