Biznes

“Pagat e luftës nxitën dembelizmin, ripunësimi i vështirë. Të larguarit preferojnë asistencën”

Teksa Ministrja e Financave Aila Denaj dhe Kryeministri Edi Rama prezantuan programin e nxitjes së punësimit dhe ripunësimit, bizneset fason thonë se po e kanë të vështirë të rimarrin punëtorët e larguar sepse këta të fundit joshen nga pagesa e asistencës (papunësisë).

Florian Zekja nga "Pro Export Albania" thotë për Gazetën “Si”, se ai dhe shumë kolegë të tij, pjesë të shoqatës, u janë drejtuar zyrave të punës për të rimarrë punonjësit e larguar, kanë marrë listat dhe kur u kanë telefonuar ish-punonjësve, këta kanë refuzuar duke thënë se "jemi nën trajtim me pagesë papunësie".

Në përballje me këtë realitet, Zekja thotë se ky program ripunësimi do të ketë sukses vetëm nëse “ndodh shkëmbimi i duhur i informacionit mes zyrave të punës dhe biznesit dhe zyrat e punës duhet të nxisin të larguarit nga puna drejt ripunësimit, jo të kënaqen me pagesën e asistencës. Kjo do të ishte në dëm si të buxhetit të shtetit, ashtu edhe të biznesit që ka nevojë për punonjës”.

Sipas Zekjas kjo është një situatë që po vijon për inerci pas paketave të ofruara nga qeveria për pagesat 40 mije lekëshe, që nxiti dembelinë.

“Paratë e helikopterit mendoj që nuk funskionojnë, veçanërisht në një shoqëri si e jona. Këto lloj paketash duhet të kenë kritere të forta që të kenë impakt në të ardhmen”- shprehet Zekja.

Ai kërkon që qeveria të lëvizë menjëherë në drejtimin e nxitjes të ripunësimit, sepse biznesi do të dëmtohet, pasi “situata në sektorin fason aktualisht është dinamike, e pasigurt dhe e paqartë. Kontratat janë të shkurtra dhe të paqëndrueshme. Ndodh që një klient kërkon 2 mln veshje njëpërdorimshe për dy muaj dhe ndërmarrjes I duhen një numër I caktuar punëtorësh”.

Fasonët gjithashtu kërkojnë që dokumenti dhe kriteret t’ju shpërndahet të gjitha ndërmarrjeve me shkrim që të mos ketë keqkuptime dhe të jenë të qartë për procedurat.

Një problematikë tjetër sqaron Zekja në lidhje me aplikimin për ripunësimin ka qenë server I e-albania që konfuzon programin e nxitjes së punësimit me atë të ripunësimit.   

Programet e Nxitjes së Punësimit dhe Ripunësimit

Ministrja Anila Denaj sqaroi se programet  e nxitjes së punësimit janë hartuar si pjesë e paketave mbështetëse të qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia.

“Qëllimi i tyre është ri-integrimi i shpejtë në tregun e punës i punëkërkuesve, që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID 19, duke shmangur mbështetjet e tyre përmes skemave pasive të mbështetjes, siç është pagesa e papunësisë apo ndihma ekonomike. Gjithashtu, nëpërmjet financimit të pagës dhe kontributeve të detyrueshme shoqërore, programet nxitin krijimin e vendeve të punës dhe mbështesin  kompanitë në procesin e rimëkëmbjes.”- është shprehur Denaj.

Programet e punësimit parashikojnë punësim në periudha 4, 8 ose 12-mujore, në përshtatje me profilin dhe nevojat e punëkërkuesit sipas vendit të lirë të punës. Ndërkohë punëdhënësit do ti ofrohet  subvencionim në varësi të periudhës së punësimit të stafit për:

Programi i punësimit 4-mujor:

Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, dhe të katërt të kontratës;

Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Programi i punësimit 8-mujor:

Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës;

Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Programi e punësimit 12-mujor:

Subvencionim i kostove te financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100 (njëqind) %, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive është institucioni përgjegjës për regjistrimin e punëdhënësve të interesuar dhe ndjek procedurat për përfitimet nga këto programe të punësimit.

Paga minimale 30 mijë lekë, fasonët nuk e kundërshtojnë

Fasonët thonë se nuk mund të kundërshtojnë pagën minimale prej 30 mijë lekësh sepse janë biznes social dhe në ndërmarrjet e tyre vetëm punëtorët e rinj janë me pagë minimale prej 26 mijë lekësh, kurse të tjerët janë me eksperiencë mbi 10 vjeçare.

Qeveria ka vendosur që nga janari 2021 të rrisë pagën minimale nga 21 mijë lekë në 30 mijë lekë duke patur në vëmendje veçanërisht sektorin e manifakturës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë