Trend

Paganizmi po ringjallet në SHBA

Të rinjtë amerikanë po braktisin gjithnjë e më shumë fetë abrahamike dhe po u rikthehen riteve pagane dhe bestytnive të hershme, të cilat prej dekadash mendohej se ishin drejt zhdukjes në Shtetet e Bashkuara.

Një studim i qendrës studimore “Pew” dhe kolegjit “Trinity” në Konektikat ka dalë në përfundimin se ritet para përhapjes së krishtërimit po risillen me shpejtësi dhe të modifikuara duke iu përshtatur ndryshimeve shoqërore që kanë ndodhur, e për pasojë po tërheqin shumë ndjekës.

Nga studimi i përbashkët përllogariten rreth 1.5 milionë ndjekës të “magjive” antike, por numri besohet se është disa herë më i lartë për shkak se një pjesë e mirë e personave preferojnë që të mos identifikojnë besimin e tyre.    

Po duke iu referuar shifrave, fakti që numri i personave që besojnë tek magjitë tradicionale ka tejkaluar besimtarët e Kishës Presbiteriane është një provë e qartë se të rinjtë po braktisin në shifra të konsiderueshme fetë monoteiste.

Sekti më i madh është ai që njihet si “Wiccans”. Në vitin 1990, ky sekt mezi numëronte 8 mijë ndjekës në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ndërsa në 2008 numri i ndjekësve të riteve “mistike të magjisë” ishte rritur në 340 mijë. Sot, mendohet se numri i ndjekësve të kësaj forme besimi është rreth 1 milion vetë, ndërsa 400 mijë të tjerë, po në një studim të Trinity College e identifikojnë veten si paganë, por pa një orientim të përqendruar besimi.

Nëse në Mesjetë “arti i magjisë” konsiderohej djallëzor dhe ndëshkohej ashpër nga kisha, sot mijëvjeccarët e shohin atë si një mënyrë e mendimit të lirë dhe të të kuptuarit të Tokës dhe natyrës.

Ringjallja e paganizmit ka gjetur terren edhe për shkak të rënies së ndikimit të kishës dhe maksimalizimit të lirisë së besimit. Megjithatë, sot mbi 70 për qind e amerikanëve e identifikojnë veten si të krishterë, ndërsa 22 për qind të tjerë pohojnë se nuk praktikojnë asnjë besim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë