Para

Paga mesatare bruto në vend arriti 66 mijë lekë. Financa dhe informacioni me shifrat më të larta

Nga Gazeta 'SI' -  Paga mesatare bruto në Shqipëri arriti vlerën e 66 mijë lekëve, me rritje vjetore pothuajse 11%.

Rritja më e  madhe të pagës nga e njëjta periudhë e 2021-shit në 2022-shin, ka rezultuar në fushën e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit me 18.2%. Rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 6.2 %.

Gjithsesi, sektori me pagën më të lartë mesatare vazhdon të jetë ai financiar. Në tremujorin e fundit 2022, paga mesatare në këtë sektor arriti në 142 mijë lekë, me një rritje prej 16.4% krahasuar me një vit më parë.

Pas tij, është sektori i informacionit dhe komunikimit, me pagë 103.5 mijë lekë, me rritje 14% në raport vjetor.

Në fund, sektorët me pagën më të ulët mesatare janë bujqësia, me 42.4 mijë lekë në muaj dhe ndërtimi, me 51 mijë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë