Politike

Padia për shpifje ndaj Veliajt, Basha shkon në gjykatë për të shmangur pezullimin e çështjes

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme për seancën e padisë së bërë kundrejt kryebashkiakut së Tiranës, Erion Veliaj për shpifje.

Kreu i PD-së, ka shkuar në seancë për të shmangur pezullimin e çështjes pas ndryshimit të gjyqtares, duke treguar kështu vullnetin për ta çuar deri në fund përballjen me Veliaj, të cilin e akuzon për shpifje.

Më herët, të dyja palët kanë refuzuar seancat gjyqësore për pajtim. Më 3 tetor 2020, Lulzim Basha dorëzoi në gjykatë padinë ndaj Veliajt me akuzën e shpifjes së kryer botërisht.

Në padi, thuhet se Erion Veliaj, si drejtues i fushatës së PS-së për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete, të cilat PD i konsideron shpifje me qëllim që t’i dëmtojë imazhin Lulzim  Bashës.

Konkretisht, kreu i PD kërkon dënimin e Veliajt, duke i konsideruar shpifje deklaratat e tij sipas të cilave, kreu i PD u bë me 4 shtëpi gjatë periudhës pas tërmetit dhe pandemisë, duke përfituar për të ndërtuar edhe kate pa leje në banesën, e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë