Gazeta Si - Hetimet për tjetërsimin e pronave të ushtrisë kanë vijuar këtë të hënë me paraqitjen e ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka në SPAK.
Ajo ka mbërritur në godinën e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 13:00. Për mediat, para se të hynte në godinë, u shpreh se nuk ka kryer asnjëherë shkelje ligji dhe gjithmonë ka qenë në funksion të detyrës së saj.
Ministrja e Jashtme aktuale, e pyetur nga mediat mbi arsyet, tha se ishte thirrur për t’u pyetur nga prokurorët lidhur me akuzat e opozitës.
“Shpifje të ulëta. Sigurisht që nuk ka asnjëherë asnjë shkelje ligji. Gjithmonë në funksion të detyrës”, deklaroi ajo.
"Jam thirrur për ato akuza që i ka bërë opozita në adresë të ministrit të Mbrojtjes kur kam qenë. Unë jam në dispozicion për këtë kemi punuar që drejtësai të na mbajë në dispozicion", - tha Xhaçka.
Ajo shtoi se, “unë nuk bëj përjashtim edhe në funksionin që kam. Është e mirëseardhur dita kur do të marrin fund shpifjet për përdorimin e aseteve për arsye elektorale, por edhe alarmi fals që asete që kanë qëndruar mes ndryshqeve, do të kthehen në asete me vlerë si rasti i Sarandës”.
Padia, bën fjalë për periudhën kur Olta Xhaçka qenë ministre e Mbrojtjes, ku do të dëshmojë në cilësinë e personit që ka dijeni për privatizimin e pronave të ushtrisë.
Dy ditë më parë, Prokuroria e Posaçme vendosi në sekuestro preventive bazën ushtarake detare në Sarandë, e cila dyshohet se ka kaluar në duart të privatëve në mënyrë të paligjshme dhe korruptive.
Kjo thirrje vjen 4 ditë pas ballafaqimit në Prokurorinë e Posaçme të Artur Meçollarit, ish-ushtaraku që ka bërë kallëzimin për abuzimet me pronat e ushtrisë dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, tashmë deputet i Partisë Socialiste, Bardhyl Kollçaku.
Hetimi për këtë çështje ka nisur pas një kallëzimi të ish Zv.Komandantit të Forcës Detare Artur Meçollari, sipas të cilit, dhënia me qera është bërë në shkelje, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përjithshëm të Forcave të armatosura.
Meçollari ka depozituar prej kohësh dhe një padi të dytë për një ndërtim privat në brendësi të bazës ushtarake në Shëngjin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.