Politike

Meta në Prokurori për Dvoranin: Rasti flagrant, mos ndikohen nga presionet politike

Presidenti Ilir Meta u paraqit në mesditë në Prokurorinë e Tiranës ku dha shpjegime në lidhje me padinë e ngritur ndaj kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Kreu i shtetit u pyet për arsyet e kallëzimit të bërë ndaj Dvoranit, për përvetësim të kompetencave.

Pas daljes nga Prokuroria, presidenti Ilir Meta në një prononcim për mediat u shpreh se ky është një rast flagrant dhe shpreson që organi i akuzës të mos jetë nën presion politik.
“Jam këtu në përgjigje të ftesës nga Prokuroria. Rasti është tmerrësisht flagrant dhe shpresoj që Prokuroria të bëjë punën e saj, pa u ndikuar nga politika. Të mos jetë nën presion politik. Dvorani ka bërë dy shkelje ligji pa vetëdije dhe do flasim me dokumente. Siguroj se presidenti ka zbatuar dispozitat kushtetuese. Të gjitha provat e depozituara deri më tani janë të mjaftueshme. Ne nuk bëjmë presione, çështja është flagrante. Ne nuk bëjmë presione pavarësisht se ka vënë në dyshim dinjitetin e shtetit. Ne jemi të qetë dhe të duruar dhe do bashkëpunojmë më ngushtë me prokurorinë se ky është një rast flagrant. Vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme, por mund t'ju them se do të vijojmë të komunikojmë me qetësi me qytetarët shqiptarë për t'i ndërgjegjësuar për rëndësinë që ka mbrojtja e Kushtetutës. Sapo të kthehem në zyrë do të autorizoj Blushin (zëdhënësin) të publikojë spotin e parë sepse Kushtetua është mjaft e rëndësishme”, u shpreh presidenti Ilir Meta.

Presidenti Meta pas daljes nga Prokuroria

Presidenti ndër të tjera tha se “është në mision, ka qenë, është dhe do të jetë garant i Kushtetutës së Shqipërisë".
Sa u përket nismës socialiste për ndryshime në betimin e anëtarëve të Kushtetues përpara noterit, ai tha “se nuk ndikohet nga cic-mice”.

Kreu i shtetit akuzoi kreun e KED-së për shkak të marrjes së kompetencave, sa i përket çështjes së emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Në kallëzim e bërë, Meta theksonte se qëllimisht KED përdori mekanizma që të vinin nën presion presidentin për emërimin e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur Parlamenti nuk kishte zgjedhur akoma anëtarin e parë. Duke iu referuar Kushtetutës, Presidenti theksonte se radha e përzgjedhjes së kandidaturave pas zgjedhjes së anëtarit të parë nga Meta, i takonte Parlamentit. Pavarësisht vendimit për ngrirjen e procesit, KED botoi në Fletoren Zyrtare vendimin e saj, duke lënë të nënkuptohet se Arta Vorpsi ishte automatikisht anëtare e Gjykatës, pasi presidenti nuk e ushtroi detyrën për të zgjedhur brenda 30 ditëve kandidatët e paraqitur.
Ndërsa Meta nuk e pranoi një gjë të tillë dhe një ditë pas zgjedhjes së dy anëtarëve nga Parlamenti, zgjodhi të dekretonte si anëtare Marsida Xhaferllarin. Më pas ai paraqiti edhe padinë ndaj Dovranit në tre prokurorinë, në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokrurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Prokurorinë e Tiranës. Prokuroria e Përgjithshme e kaloi këtë si çështje asaj të Tiranës, ndërsa i akuzuari nga presidenti, Dvorani reagoi duke deklaruar se nuk ka shkelur ligjin dhe ka zbatuar Kushtetutës dhe se nuk i trembet përballjes me presidentin


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë