Serbia nuk i ka dhënë leje Behgjet Pacollit, por as nuk ia ka ndaluar hyrjen, kësisoj kryediplomati kosovar sot pasdite planifikon të hyjë në Serbi. Por, si do t’i shkojë vizita në Sanxhak zyrtarit të lartë shtetëror për të cilin Daçiç ka thënë se do të duhej të arrestohej për t’ia kthyer Prishtinës “tërheqjen zvarrë” që iu bë Marko Gjuriçit kur ai hyri në veri të Kosovës.
Ndonëse nuk dihej deri një ditë para, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka ndarë mendjen që t’i përgjigjet pozitivisht kryetarit të Këshillit të Sanxhakut, Sulejman Uglanin, i cili e ka ftuar Pacollin për një vizitë dyditore për takim me boshnjakët e Serbisë.
Për Gazetën Express, këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj ka thënë se nuk kanë marrë përgjigje nga Serbia, por Pacolli do ta realizojë vizitën e tij.
Sipas marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës e Serbisë të nënshkruar të dhjetor të vitit 2014, në rast se njëra palë nuk kthen përgjigje negative ose pozitive për vizita të zyrtarëve të palës tjetër, atëherë nënkupton se vizita është aprovuar.
Pacolli ka nisur procedurat siç parasheh marrëveshja si zyrtar i lartë shtetëror dhe si i tillë ka marrë ftesën nga kryetari i Këshillit boshnjakë të Sanxhakut, megjithatë mediat serbe kanë raportuar se ai në Serbi do të hyjë privatisht, shkruan Gazeta Express.
“Pacolli do të udhëtojë në Novi Pazar për të marrë pjesë në forumin e boshnjakëve. Kjo do të thotë se ai shkon në Sanxhak , bazuar në marrëveshjen e Brukselit për Lëvizje të Lirë. Ne nuk kemi marrë përgjigje akoma por heshtja sipas marrëveshje nënkupton aprovim të vizitës”, ka thënë Zymberi.
Ministri i Jashtëm, sipas agjendës së tij, do të hyjë nga pika kufitare në Bernjak pasditen e sotme, ndërsa vizitën ka planifikuar ta përfundojë të dielën, kur nga Jarinja do të kthehet mbrapa në Kosovë.
Deri mbrëmë, nuk dihej nëse kryediplomati kosovar do të hynte në Serbi sepse autoritetet serbe nuk i kishin kthyer përgjigje zyrtare. Megjithatë, zyrtarë të lartë serbë, Pacollit i kanë dërguar mesazhe publike.
Homologu i tij serb, Ivica Daçiç, pasi u kumtua lajmi se boshnjakët e Serbinë kanë ftuar Pacollin në Novi Pazar, tha se me të do të duhej të veprohej siç bën autoritetet kosovare me drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë”, Marko Gjuriç. Pra, Pacolli, sipas Daçiçit, do të duhej të arrestohej për t’ia kthyer veprimin ndaj Gjuriqit në mars të këtij viti.
Vetë Pacolli ka thënë se atje nuk po shkon për provokime, sic ka bërë, sipas tij, Gjuriq kur hyri pa leje në Veri të Mitrovicës. Ndërsa, Ai thotë se ka presion nga Bashkimi |Evropian që të mos shkojë në Sanxhar.
”Kam presion nga Brukseli, që mos ta bëjë këtë vizitë. Kemi bërë kërkesë në Beograd, dhe nëse unë kam leje për të hyrë në Serbi, unë do ta bëjë atë, pa marr parasysh se çka thonë të tjertë”, ka deklaruar ai.
Mediat serbe kanë publikuar deklaratat e njërit nga njerëzve më të afërt të Presidentit Aleksandër Vuçiç, ministrit të Brendshëm, Stefanoviç. Ai ka thënë se me dijeninë e tij Pacollit s’do t’i lejohet hyrja në Serbi.
Tanjugu serb ka raportuar se Pacolli atje do të hyjë, jo si zyrtar i lartë shtetëror, por si shtetas zviceran. /Express/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.