Kombetarja

Pa dy kapitenët ndaj Turqisë, kujt do t’ia japë shiritin Reja?

Kombëtarja ka humbur edhe Elseid Hysajn për ndeshjet e radhës me Turqinë dhe Moldavinë. Një rënie e tmerrshme pas një dyluftimi në lojë ka rezultuar fatale për futbollistin shkodran gjatë ndeshjes Torino-Napoli. Ai ka dëmtuar shtyllën kurrizore dhe do të mungojë për një kohë relativisht të gjatë. Një mungesë e madhe për kuqezinjtë për një ndeshje shumë të rëndësishme si kjo me Turqinë. Vendin e tij në Kombëtare pritet ta zërë Ivan Balliu, i cili ishte në listën e lojtarëve të gatshëm të trajnerit Reja. Balliu, aktualisht tek Almeira në Spanjë, mbulon rolin e mbrojtësit të krahut të djathtë dhe është një lojtar adapt për skemën e Rejës 3-5-2.

Hysaj, duke dalë me barrelë pas dëmtimit në ndeshjen me Torinon. Gazeta Si, 7 tetor 2019

Dëmtimi i Hysajt duket se do të rikthejë edhe çështjen e shiritit të kapitenit te kuqezinjtë. Mungon kapiteni i parë, Mërgim Mavraj, mungon tashmë edhe kapiteni i dytë, Elseid Hysaj. Po tani, kujt i takon shiriti? Ish-trajneri Panuçi, në këto raste ia kalonte shiritin lojtarit me më shumë ndeshje, duke krijuar edhe pak konfuzion. Në një ndeshje, kapiten ka qenë Odise Roshi, në një tjetër Hyka. Reja është pak më i qartë në këtë drejtim, duke caktuar që në fillim kapitenin dhe zëvendëskapitenin. Ka edhe një kapiten të tretë, por duhet thënë se gjithçka varet nga lojtarët që do të jenë në formacion ndaj Turqisë.

Rënia e Hysajt që i kushtoi dëmtimin e rëndë. Gazeta Si, 7 tetor 2019

Nëse në portë aktivizohet Berisha, ai është kandidati më potencial për të qenë kapiten i kuqezinjve. Nëse luan Strakosha, si në ndeshjet e fundit, kapiten do të jetë dikush tjetër. Memushaj është një tjetër kandidat, por edhe ai nëse aktivizohet në ndeshjen e radhës, ashtu si dhe Roshi, apo Abrashi. Të tjerë lojtarë me përvojë si Taulant Xhaka dhe Armando Sadiku, nuk janë në grumbulluar nga trajneri Reja, kështu që çështja e kapitenit mbetet një rebus i vërtetë.

Trajneri Edi Reja do të mundohet të jetë sa më objektiv në zgjedhjen e tij, pasi dëshiron që grupi të jetë sa më i bashkuar dhe të mos ketë qejfmbetje. Deri ditën e ndeshjes ka kohë për të marrë vendimin e duhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë