Kombetarja

Lindon Selahi zbulon: Më donte Belgjika, ndjehem 100% shqiptar

Në konferencën e parë të shtypit për lojtarët e Kombëtares kanë dalë sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Lindon Selahi. Ky i fundit grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren e Shqipërisë dhe gjatë konferencës ka zbuluar se për të është interesuar seriozisht edhe Belgjika. Selahi ka theksuar se nuk kishte asnjë dyshim për zgjedhjen e tij, pasi e ndjen veten shqiptar.

“E kam merituar këtë ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë. Që i vogël kam pasur dëshirën të luaj me Kombëtaren, jam në një moshë shumë të re, por besoj se mund të luaj. Gjithsesi, është trajneri ai që vendos. Nga futbollistët që janë aktualisht në Kombëtare njoh Seferin dhe Ramadanin që kanë qenë të ekipi Spresa. Kur isha më i vogël, kam luajtur me Belgjikën. Deri atëherë nuk kisha marrë ftesë nga Shqipëria, kurse tani që e kam marrë ftesën, jam bashkuar me Kombëtaren. Mund të them se edhe tani më ka kërkuar Belgjika, por e ndjej veten shqiptar dhe nuk kisha asnjë dyshim për zgjedhjen time. Isha i bindur 100% për të ardhur te Shqipëria.

Për dy ndeshjet e radhës mendon se kemi shanse për t’i kaluar me sukses. Si në Turqi, ashtu edhe në Moldavi, shkojmë për të fituar dhe për të bërë lojën tonë. Roli im është mesfushor qendre, numri 8, por luaj kudo në mesfushë, nuk e kam aspak problem. Po luaj sezonin e parë me Tuenten në Holandë dhe ndihem shumë mirë. Ëndrra ime është të luaj sa më shumë ndeshje me Kombëtaren dhe të kualifikohemi”, - ka theksuar Selahi.

Kush është Lindon Selahi?
Mesfushori 20-vjeçar ka lindur në Belgjikë, në Namur, më 26 shkurt 1999. Është rritur nga ana futbollistike në dy klube shumë të mëdha në Belgjikë, siç janë Standardi i Liezhit dhe Anderlehti. Nga Standardi i Liezhit u largua këtë verë, për të kaluar në kampionatin holandez, ku ka veshur fanellën e Tuentes dhe deri tani numëron 9 ndeshje. Po ashtu, Selahi ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 të trajnerit Alban Bushi, por ka luajtur vetëm 3 ndeshje. Forma e mirë që ka treguar në Holandë ka bërë që trajneri Reja ta grumbullojë 20-vjeçarin për dy ndeshjet e radhës me Turqinë dhe me Moldavinë, përkatësisht më 11 dhe 14 tetor, të dyja në transfertë. Mesfushori konsiderohet një nga talentet e së ardhmes kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë