Kombetarja

Cikalleshi: Të hedhim bazat për Botërorin, Reja duhet të vazhdojë

Sokol Cikalleshi është sulmuesi i momentin në Kombëtare. Ai shënoi ndaj Francës dhe Islandës, por edhe me ekipin e tij në Turqi ka shënuar sistematikisht. Këtë formë shumë të mirë sulmuesi kavajas shpreson ta shfrytëzojë edhe në transfertën turke. Në konferencë shtypi, Cikalleshi ka theksuar se Shqipëria i ka shanset ta përballojë Turqinë në fushën e saj. Sipas tij, është momenti që kuqezinjtë të hedhin njëkohësisht themelet për eliminatoret e Botërorit të ardhshëm. Kavajasi ka folur edhe për transformimin që ka pësuar me trajnerin Reja.

“Po kaloj një formë të mirë dhe një sulmues motivohet nga golat, kështu që shpresoj ta ndihmoj sa më shumë edhe Kombëtaren. Në Turqi do të jetë shumë e vështirë, kundërshtari është favorit, por ne po mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje. Objektivi? Në Turqi do të shkojmë për fitore. Vijmë nga një ndeshje e mirë me Islandën, ku me atë fitore kemi bërë gjysmën e punës për ëndrrën tonë. Ajo fitore nuk vlen, nëse nuk marrim rezultat në Turqi. Kombëtarja ka moralin e duhur për të përballuar një sfidë të tillë.

Me ardhjen e trajnerit Reja situata ka ndryshuar për mirë, të paktën për mua personalisht. Kam marrëdhënie shumë të mirë me të dhe mendoj se duhet të vazhdojë. Kështu besoj se mendojnë dhe shumë të tjerë. Kam luajtur dhe kam shënuar, por është një rrugë e gjatë përpara. Duhet të punojmë hap pas hapi për të hedhur bazat e Botërorit të ardhshëm, megjithatë edhe për Europianin kemi ende shanse. Ndeshja me Turqinë është vendimtare. Kundërshtari ka lojtarë me kualitet, që aktivizohen në ligat më të forta. Ndryshon shumë nga ndeshja në Shkodër kjo e kësaj radhe.

Mungesa e Hysajt është humbje e madhe për ne. Ai është shumë i rëndësishëm dhe ndaj Islandës luajti një nga ndeshjet më të mira me Kombëtaren, duke shënuar edhe golin e parë. Uroj të mos e ndjejmë mungesën e Hysajt, sepse për atë rol kemi edhe lojtarë të tjerë cilësorë”, - është shprehur Cikalleshi, i cili pritet të jetë titullar në Turqi, ndoshta bashkë me Manajn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë