Futboll

Pa Champions lamtumirë Alegri, Juventusi mendon që tani për Tiago Motën

Gazeta Si – Trajneri i Juventusit është në rrezik dhe në rast ndryshimi në stol, kolegu i tij te Bolonja është favorit kryesor për t’i zënë vendin.

Luhet Kupa e Italisë, por në mendjen e drejtusve të klubit bardhezi është vetëm Championsi. Juventusi do të përpiqet të dalë nga kriza për të vendosur një këmbë në finalen që vlen edhe për pjesëmarrjen në ‘final four’ të Superkupës, por edhe për kthesën në kampionat, ku vendi i 4-t rrezikohet nga Bolonja, tashmë -2 pikë. Edhe Roma e Atalanta nuk janë dorëzuar.

Në rrezik është e ardhmja e shumë lojtarëve, por edhe e Masimiliano Alegrit, fati i të cilit varet nga rezultatet. Muajt e fundit “Zonja” ka shpërdoruar një avantazh të konsiderueshëm pikësh dhe kjo situatë nuk ka kaluar pa u vënë re në Kontinasa, ku para se të merret një vendim, duhet bërë një vlerësim 360 gradë i sezonit.

Alegri ka edhe një vit kontratë me Juventusin dhe largimi para kohe ka kosto. Megjithatë, për qëndrimin ka kushte dhe kryesori është pjesëmarrja në Champions, sepse Europa vlen më shumë se gjithçka. Pa Europë do të ishte katastrofë ekonomike, ndaj dhe e ardhmja e trajnerit varet prej Championsit.

Dhe për t’i paraprirë çdo situate të pakëndshme klubi ka menduar edhe për pasuesin e mundshëm të Alegrit, që është Tiago Mota, i cili me Bolonjën ka bërë mrekullinë dhe do të pranonte me një pagë më të ulët se e trajnerit aktual. Më larg duken kandidaturat e Vinçenco Italianos dhe Rafaele Paladinos.

Nëse Championsi arrihet, do të vlerësohet edhe fakti si do të arrihet, sepse një llogari është vendi i dytë dhe një tjetër llogari janë vendi i tretë apo i katërt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë