Kosova

Kurti: Ndalimi i kosovarëve u paralajmërua nga Vuçiç. Të gjithë veprimet po bëhen me urdhër të Beogradit

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për ndalimin e udhëtarëve të mërkurën në pikëkalimet kufitare, tha se ishte një "hakmarrje" nga presidenti serb Aleksander Vuçiç të cilën ai e kishte paralajmëruar.

Sipas Kurtit, Serbia është hakmarrë kësisoj një ditë pasi Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të Këshillit të Europës.

“Ata janë ndaluar si rezultat i një konference për media të cilën e pati të shtunën që shkoi presidenti i Serbisë, ku ai tha që në javën që vjen Serbia kudo që ushtron pushtet dhe kontroll efektiv, do të fillojë që të hakmerret.

Andaj edhe ajo çfarë po ndodh në këtë javë është paralajmëruar të shtunën që shkoi kur presidenti i Serbisë vizitoi njësitet ushtarak ‘Kobra’ në ditëlindjen e tyre, një njësit të cilën ne e patëm akuzuar në mes të qershorit të vitit të kaluar që i ka rrëmbyer tre policët tanë në veri të Kosovës. Pikërisht në ditëlindjen e Njësitit Special Ushtarak i cili i kishte rrëmbyer policët tanë, presidenti i Serbisë e paralajmëroi këtë përndjekje të të tjerëve të cilët ai i konsideron të pa dëshirueshëm, duke filluar prej shqiptarëve të Kosovës e atyre në Luginë e deri të serbet në Kosovë të cilët janë integruar në institucionet tona”, tha Kurti.

Ai shtoi se bllokimi i autobusëve i cili është bërë dje, është sipas tij rezultat i suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentar në KiE.

Kurti thekson se veprimet e serbëve në Kosovë po bëhen me urdhër të Beogradit. Serbinë e konsideron fajtore edhe për situatën në veri dhe përpjekjet për ta dështuar procesin e referendumit për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave në veri të Kosovës.

“Që nuk mund të them që ka përfunduar dhe që duhet ta kuptoni që po ndodh në të njëjtën kohë kur në Serbi po kryhet siç besojnë ata ushtrimi më i madh ushtarak në këtë shekull dhe i cili do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, deri në fund të javës, pra deri të dielën.

Të gjitha këto janë të sinkronizuara edhe me bojkotin që po u bëhet votimeve në katër komunat veriore të parashikuara të dielën e që do të ishte një shans për qytetarët atje që ta shprehin vullnetin e tyre po për shkak të kërcënimeve, shantazheve, djegieve te makinave që bëhen atje, duket që nuk do të këtë pjesëmarrje të kënaqshme, ndonëse ne bëjmë gjithë përpjekjet e mundshme dhe i ndihmojmë KQZ-së që këto votime të jenë sa më të suksesshme të dielën e 21 prillit”, thotë Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë