Treg

OSHEE s’lexon dot sahatet, do paguajmë marsin sa 1 vit më parë

Një pjesë e konsumatorëve familjarë dhe 10% e konsumatorëve biznese të energjisë elektrike, si pasojë e situatës emergjente, faturën e muajit mars të energjisë elektrike do ta paguajnë duke iu referuar faturës së marsit të një viti më parë.

Ky është vendim i marrë nga Enti Rregullator i Energjisë i cili u është referuar akteve normative  të qeverisë mbi gjendjen e jashtëzakonshme.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thotë për Gazetën “Si” se ka hartuar një plan veprimi për mënyrën se si do të kryhet leximi i konsumit të energjisë elektrike në zbatim të Aktit Normativ të qeverisë për marrjen e masave të veçanta gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Në kushtet kur masat e marra nga qeveria kanë kufizuar edhe mundësinë e lëvizjes normale për punonjësit e OSHEE, sqaron kompania, i është drejtuar Entit Rregullator të Energjisë i cili ka miratuar edhe vendimin përkatës mbi të cilin do të kryhet procedura e leximit dhe faturimit në këtë periudhë.

Duke iu referuar praktikës së njohur e të zbatuar në shumë vende të tjera, OSHEE thotë se do të aplikojë vlerat referencë të konsumit për ato raste kur do ta ketë të pamundur leximin fizik të matësit.

“Rreth 70% të abonentëve familjarë do tu lexohet matësi nga ekipet tona në terren. Për 30% të abonentëve të tjerë për të cilët ky proces do të jetë i pamundur, do të aplikohet vendimi i ERE për faturimin me vlerë reference. Vlera e referencës është sasia e energjisë së konsumuar nga abonenti për të njëjtin muaj të një viti më parë, pra Mars 2019. Për këto raste, sqarojmë se në leximin e muajit pasaardhës do të bëhet balancimi, pra sistemimi i faturës. Ky proces do të kryhet automatikisht nga vetë OSHEE, pa patur nevojë për një kërkesë/ankesë nga abonentët”, sqaron Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Për subjektin jo familjar OSHEE siguron lexim dhe verifikim të matësit për afro 90% të abonentëve. Për pjesën e mbetur do të aplikohet sërish vendimi i ERE-s për vlerë reference.

Referuar kategorisë së bizneseve të shërbimit (si bare, restorante, noteri, etj.), të cilat rezultojnë të mbyllura në zbatim të Aktit Normativ dhe ku nuk është e mundur aksesimi i sistemit të matjes, OSHEE do të aplikojë vlerë referencë zëvendësuese vetëm për ditët që kanë patur aktivitet, pra kanë qenë hapur.

Në muajin pasardhës, OSHEE thotë se do të mund të kryejë leximin faktik të matësit për këta abonentë dhe do të kryejë sistemimin e faturimit. Kompania siguron se në çdo rast, abonenti do të paguajë vetëm për energjinë e cila është konsumuar prej tij dhe që është e reflektuar në matës.

Bazuar edhe në praktikat ndërkombëtare të cilat e zbatojnë gjërësisht faturimin me vlera reference mbi muaj me karakteristika dhe konsum të njëjtë, OSHEE sqaron se garanton se do të kryejë leximin e konsumit me cilësi dhe standard.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë