Treg

OSHEE konfirmon krizën financiare

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sërish është në pamundësi financiare për të bërë investimet, të cilat do ta ndihmonin atë të rriste cilësinë e furnizimit me energji elektrike. OSHEE ishte zotuar tek Enti Rregullator i Energjisë, që kushtet detyruese të vendosura do t’i plotësonte në shtator të këtij viti. Por siç duket nga vendimi i fundit, Enti ka vendosur që të shtyjë afatin për t’i dhënë një ndihmë kompanisë.
Ky vendim u mor pas kërkesës së bërë nga vetë OSHEE, e cila justifikohet se nuk ka mundur t’i bëjë investimet për shkak të situatës jo të favorshme hidrologjike. Paratë, thotë OSHEE, i ka përdorur për import të energjisë elektrike, të cilat kanë kapur shifrën e 200 mln eurove.
Ndërsa ERE, për të justifikuar shtyrjen e afatit, thotë se “Përfaqësuesit e OSHEE sh.a., në mbledhjen e bordit dhanë shpjegime të zgjeruara në lidhje me masat e marra, por dhe rezultatet e ardhura si rrjedhojë e këtyre masave sa i përket rritjes së cilësisë së shërbimit, uljes së numrit të ndërprerjeve, uljen e kohës mesatare të ndërprerjeve për klientë, në masën 50 % krahasuar me 5-vjeçarin e kaluar” .
OSHEE në mes të vitit bëri publik një plan të ri investimesh, duke paraqitur në detaj edhe projektet e pezulluara, për shkak të vështirësive financiare që kompania po has këtë vit, si rrjedhojë e importeve për plotësimin e konsumit në vend. Referuar këtij plani, rezulton se janë të paktën 69 projekte që pezullohen krahasuar me planin fillestar të OSHEE. Në vlerë, këto projekte të ngrira janë 2.8 miliardë lekë, duke nisur nga ndërhyrjet në nënstacione me 572 milionë lekë tek investimet prioritare në rrjetin e tensionit të ulët tek linjat ABC me vlerë 603 milionë lekë. “Pezullimi është bërë për ato investime, të cilat ose nuk kanë filluar ose janë në faza zhvillimi, të cilat nuk do të shkaktojnë probleme teknologjike të ecurisë, si dhe nuk do të rrezikojnë vazhdimin e mëtejshëm të investimit, në një fazë të mëvonshme. Vlera e investimeve, vazhdimësia e të cilave do të pezullohet për vitin 2019, është 2.818 miliardë lekë”, thuhej në dokumentin e OSHEE.
I njëjti nënvizonte se vlera e investimeve, që do të kryhen për këtë vit nga ana e shpërndarjes, është në nivelin 6.9 miliardë lekë ku, ndër të tjera, janë projektet për ndërtim/rikonstruksion elektrik për nënstacionet, për të cilin është parashikuar një vlerë 341 milionë lekë, për blerje pajisje makineri për nënstacione dhe likuidim avarish 1.13 miliardë lekë, ndërtim, rikonstruksion rrjeti tension i mesëm /tension i ulët 561 milionë lekë, apo ndërhyrje në kabina me 1.1 miliardë lekë.
Këto dëshmi tanimë tregojnë se sistemi ynë energjetik varet shumë nga moti. Dhe megjithëse ka kanë kaluar shumë vite nga koha e krizës me ndërprerje të gjata të furnizimit me energji elektrike, fakti që sot OSHEE nuk ka para për të vijuar investimet por pret çdo gjë nga qielli rrëzon mitin e reformës. Sistemi ynë energjetik po vuan po njësoj. Vetëm kemi më pak kufizime por kemi më shumë kosto dhe pamundësi financiare për t’i ulur këto kosto përmes investimeve. Dhe nga një krizë e mungesës së energjisë jemi në një krizë financiare të sistemit të energjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë