Lajme

OSHEE pezullon investimet e reja për 2019-ën

Kreu i OSHEE Adrian Çela në aktivitetin me temë “Tranzicioni energjetik dhe sfidat për një treg të liberalizuar dhe rasti i Shqipërisë”, në fjalën e tij, do të akuzonte qeverinë e mëparshme për kolapsin e tregut energjitik.

“Një histori e dështuar privatizimi, kolaps ekonomik, teknologjik dhe situatë e paqartë legale”, do të shprehej Çela.

Sipas tij, kompania nuk kishte mundësi reale investimesh me fonde të vetat, ndërsa borxhet kalonin disa herë kapitalin, me një nivel faturash të pambledhura prej 1.3 miliardë USD dhe humbjesh teknike e jo teknike rekord në 45%.

Në bashkëpunim me Bankën Botërore u vu në zbatim një program ambicioz për reduktimin e humbjeve dhe shëndoshjen financiare të kompanisë.

Të shumtë ishin ata që mendonin se ulja e humbjeve ishte mision i pamundur.
“Me kënaqësi e them se nga 45% që ishin, sot ato janë reduktuar në vetëm 23.9%.

Ambicia jonë është të vazhdojmë në vitet e ardhshme uljen e mëtejshme të këtij treguesi, në parametrat e pranueshëm për vendet e rajonit”, deklaroi administratori i OSHEE Sh.A.
Por situata për OSHEE-në nuk paraqitet fort e mirë për 2019-ën.

Mungesa e favorizimit nga moti që ka shpënë në rritje të shpenzimeve për blerje energjie si dhe pamundësia për t’u rikuperuar nga kriza e vitit 2017-ës, e ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të pezullojë investimet e reja të parashikuara për vitin 2019-ën.

Burime pranë OSHEE-së bëjnë me dije se investimet që nuk do të kryhen janë ato të 2019-ës që ishin parashikuar dhe për të cilat duhet të ishte nisur puna, kurse ato investime që nuk preken, janë investimet që kanë nisur tashmë të implementohen.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka ulur prodhimin për shkak të motit të thatë që bëri këtë vit. OSHEE ka rritur importet e energjisë, duke siguruar pjesën më të madhe në treg të lirë.

Në janar-shkurt 2019 shpenzimet për blerje të energjisë elektrike ishin 3.714 miliardë lekë ose 29.6 milionë euro më të larta se ato të planifikuara.

Referuar pritshmërive, gjendja aktuale do të vijojë gjithë pjesën e parë të vitit 2019. Kjo situatë vështirëson aftësinë paguese të kompanisë.

Kjo është aryseja që Enti Rregullator i Energjisë ka shtyrë afatin e pagesave për blerje energjie nga 90 në 180 ditë. Dhe po për shkak të mungesës së likuiditetit nuk po kryhen investimet.

Edhe në 2018-ën, OSHEE investoi 2 mld lekë më pak nga sa ishte parashikimi në Programin Financiar të miratuar.

Situata energjitike në vend ka ndikuar si në rritjen e ekonomisë, ashtu edhe tek eskportet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë