Treg

OSHEE mes mbifaturimeve dhe eksperimenteve të leximit të sahatit një herë në tre muaj

Sabina Veizaj- Majlindës i duhet të paguajë 35 000 lekë fatura të energjisë elektrike për shkak të mbifaturimit nga ana e OSHEE dhe shqyrtim të vonë, jashtë afateve të kërkesë-ankesës të cilën e ka bërë që në datën 13 shkurt 2019.

Majlinda thotë për Gazeta “Si” se më dt 13 shkurt ka hapur aplikacionin on line ku ka akses për të parë faturën e energjisë elektrike dhe përballet me një shifër marramendëse që i takon muajit janar, 48 mijë lekë. Më pas fotografoi sahatin dhe pa se nuk korrespondonte me shumën e faturuar nga OSHEE.

I drejtohet zyrave të kujdesit ndaj klientit për informacion dhe bën kërkesë-ankesën për mbifaturim.

“Afati i zakonshëm i shqyrtimit është 30 ditë, kurse mua më thanë që ankesa ime do të shqyrtohet brenda 45 ditëve”- shpjegon Majlinda, e cila gjatë bisedës vijon e më tregon se i është drejtuar zyrave të OSHEE edhe tre herë të tjera për tu interesuar për statusin e ankesës, e cila në të gjitha rastet ka rezultuar e ngrirë.

Madje, thotë Majlinda për Gazeta Si, punonjësja më sugjeroi që ti kurseja lekët.
“Kjo është e tmerrshme. Për faj të institucionit unë jam e detyruar të lë punën e detyrimet familjare e të bëj ecejake në zyrat e OSHEE ku përballesh me arrogancën e punonjëseve, ku të mësojnë se për gabim të tyre duhet të bësh hesapet mirë me xhepat dhe mundësitë e tua për të qenë në rregull me shtetin që nuk është në rregull me ty. Dhe të përcjellin duke u justifikuar po me arrogancë se nuk jam e vetmja që kam bërë ankesë, por kanë një mal me ankesa që duhet ti shqyrtojnë” - sqaron Majlinda.

Më pas ajo ka parë se për muajt shkurt dhe mars i është faturuar respektivisht nga 500 lekë për detyrimet e përbashkëta të komunitetit; televizoni shqiptar dhe pastrimi.

Por deri në momentin që kontrolloi sërish faturën on line, askush nuk e vuri në dijeni në lidhje me statusin e ankesës për mbifaturim të energjisë elektrike për muajin janar 2019.
On line Majlinda vërejti më pas se për muajt shkurt, mars dhe prill i janë faturuar sëbashku, pa asnjë sqarim dhe ballafaqim me leximin e sahatit 35 mijë lekë të cilat duhet ti paguajë brenda afatit, se përndryshe do ti duhet të paguajë edhe kamatvonesën.

Por, pikërisht për të shmangur këtë mbifaturim, sipas Drejtorit të OSHEE-së z. Adrian Çela, institucioni i tij në bashkëpunim me ERE ka marrë përsipër të zbatojë leximin e sahatit një herë në tre muaj.

Në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dy ditë më parë, do të diskutohej në lidhje me projektin e OSHEE, për leximin e matësit të energjisë elektrike një herë në tre muaj.
“Dy muajt e tjerë që nuk bëhet leximi, do ti shkojë fatura në bazë të mesatares shumëvjecare. Fatura e muajit të tretë do jetë faturë sistemuese, kështu është eksperienca dhe në Itali dhe në zona të tjera. Ne mendojmë që diku nga shtatori mund të fillojmë në një zonë të caktuar, të fillojmë me leximin tre mujor, dhe pastaj në muajt në vazhdim të shohim ta zgjerojmë në dimensione më të gjëra. Duhet të ndërojmë të gjitha matësat, sepse janë të gjithë lehtësisht të manovrueshëm”, tha Çela.

Drejtori Çela do të shprehej në kuvend se mbifaturimi edhe pse vijon të jetë prezent vihet re një numër i ulur i ankesave të qytetarëve.

“Sigurisht ka mbifaturime për sa kohë ne nuk e kemi sistemin e matjes online, i cili do ta zgjeronte mundësinë e mbifaturimit. Por ne kemi një gjë shumë pozitive. Në qoftë se ne bëjmë krahasimin e ankimimeve që kanë ardhur pranë operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike për faturim, që nga janari i 2015 dhe deri sot, do vëreni që nr i faturimeve është reduktuar me mbi 50%”, do të sqaronte drejtori i OSHEE Çela.

Por pranë ERE ende nuk ka një projekt me shkrim nga ana e OSHEE.

Gazeta Si kontaktoi me z. Adriatik Bego, i cili është anëtar bordi pranë Entit Rregullator të Energjisë. Sipas tij ende nuk ka një projekt konkret, pasi projekti të jetë gati nga OSHEE, thotë Z. Bego për Gazeta Si, do të shqyrtohet në ERE dhe do të bëhet publik.
Ai e sheh këtë projekt si zgjidhje për mbifaturimin dhe efiçencën e kompanisë.

Kurse eksperti Gjergj Bojaxhi, në lidhje me këtë projekt të mundshëm të OSHEE për të lexuar sahatët e familjeve 1 herë në tre muaj e sheh me pozitivitet parimisht, por ngre pyetjen; a do të ndikojë kjo në shkurtimin e punonjësve që faturojnë për llogari të OSHEE dhe kjo rrjedhimisht a do të ndikojë në uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë?

Për shembull thotë Z. Bojaxhi; nëse aktualisht OSHEE supozojmë që ka 500 faturues të cilët faturojnë 12 herë në 1 vit. Me sistemin e ri të mundshëm do të faturojnë 4 herë në vit. A do të reduktohen 500 punonjësit në 180 syresh dhe kjo do të ndikojë në uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin fundor?

Në fakt me këtë mënyrë të re të mundshme faturimi implikohen çështje të lidhura drejtpërdrejt me konsumatorin, aftësinë paguese të tyre, mentalitetin e përgjithshëm të kosnumatorit shqiptar dhe raste të veçanta të rrethanave jetësore të konsumatorëve.

Në bisedë me anëtarin e bordit të ERE-së dolën edhe raste të tjera të mundshme; nëse një konsumator i energjisë elektrike që në maj të 2018-ës jetonte me familjen prej 5 vetash dhe sot jeton vetëm, pse duhet të paguajë një faturë 15 mijë lekë duke iu referuar majit të 2018-ës dhe të presë të kreditohet pas tre muajsh nga OSHEE?

Për pensionistët që përbëjnë 24 % të popullsisë së vendit dhe sipas të dhënave zyrtare 30 për qind e punonjësve marrin pagën minimale të përcaktuar nga qeveria, e kjo do të thotë qëpër të paktën 54% të popullsisë që janë në vështirësi financiare për të kaluar muajin, kjo mënyrë faturimi do të ishte e papërballueshme.

Si do të vijojë mandej rimbursimi apo llogaritja kredi-debi dhe e anasjellta mes kompanisë OSHEE dhe konsumatorëve fundorë të energjisë?

Kjo mbetet për tu sqaruar nga ana e OSHEE në përfundim të hartimit të projektit përfundimtar, e cila pritet të sqarojë gjithë ç’rrjedh prej ndryshimit të mënyrës së leximit të sahtit dhe faturimit e pagesës nga ana e konsumatorit fundor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë