Politike

OSBE i përgjigjet Metës: Gati të ndërmjetësojmë dialogun, por…

OSBE i ka kthyer përgjigje letrës së Presidentit Ilir Meta. Ky i fundit kërkonte disa ditë më parë nga ky institucion që të ndërhynte për të zgjidhur krizën politike dhe institucionale në vend.

Në letrën e dërguar për Metën, drejtuesit e OSBE-së nënkuptojnë se nuk kanë çfarë të ndërhyjnë më shumë dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve në Tiranë që të dialogojnë. Dialogu, thotë OSBE është i vetmi mjet që çon drejt zgjidhjes.

“Gjatë vizitave të mëparshme, ne i nxitëm të gjithë aktorët të angazhohen në dialog pa parakushte, të ndjekin një zgjidhje të pranueshme për të gjithë, të respektojnë proceset dhe institucionet demokratike të vendit”, thuhet në letër.

OSBE shpreh gatishmërinë që të ndërmjetësojë për dialogun, por thotë se suksesi i këtij ndërmjetësimi varet thelbësisht nga pëlqimi dhe pjesëmarrja e të gjitha aktorëve dhe faktorëve kryesorë politikë në Shqipëri. Si pikënisje për dialog, OSBE propozon reformën zgjedhore.

“OSBE-ja dhe institucionet e saj, brenda mandateve të tyre, do të jenë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për një proces të tillë gjithëpërfshirës. Një mbështetje e tillë mund të përqendrohet për shembull në propozime për reforma konkrete, siç është reforma zgjedhore”, thuhet në letër.

Presidenti Meta kërkoi ndërmjetësimin e OSBE-së për zgjidhjen e krizës në Shqipëri përmes një letre dërguar në selinë qendrore të kësaj organizate. Letra duket se vuri në lëvizje këtë institucion, që dërgoi në Tiranë kryetarin e saj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, ndërkohë që në shtator pritet vizita e Presidentit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë