Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger ka firmosur në Tiranë marrëveshjen e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë, OSBE-së dhe Qeverisë Zvicerane në lidhje me projektin ri “Mbështetje për Kuvendin e Shqipërisë dhe Edukimin Qytetar”. Projekti ka për synim t’i ndërgjegjësojë dhe fuqizojë qytetarët me qëllim që të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse në vend.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e Kuvendit, Greminger theksoi se pas miratimit të Kodit të Sjelljes në Kuvend janë evidentuar hapat e radhës për të forcuar llogaridhënien e politikanëve me qytetarët.
“Kohët e fundit, miratimi i Kodit të Sjelljes tregoi që Parlamenti mori përgjegjësi për sjelljet e veta. Zbatimi i këtij kodi do të forcojë llogaridhënien të politikanëve ndaj qytetarëve. Bashkë me parlamentin shqiptar dhe me Zvicrën, kemi evidentuar hapat e radhës për të forcuar llogaridhënien e politikanëve me qytetarët. Besoj se marrëveshja 4-vjeçare e firmosur sot për ‘Mbështetje për Kuvendin e Shqipërisë dhe Edukimin Qytetar’, do ta forcojë akoma edhe më tej këtë llogaridhënie. Inkurajoj femrat deputete që të shohin përtej partie për të nxitur përparimin, për të drejtat e grave në Shqipëri”, u shpreh Greminger.
Më tej Thomas Greminger vlerësoi se OSBE është një mjet i rëndësishëm që mund të përshpejtojë rrugën e Shqipërisë për në BE, duke premtuar edhe mbështetjen e kësaj organizate për reformat e nevojshme në vend
“OSBE një mjet i rëndësishëm që mund të përshpejtojë rrugën e Shqipërisë për në BE. Do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në reformat e saj. Ne kemi ndihmuar në formimin e legjislacioneve të rëndësishme”, u shpreh Greminger.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.