Ekonomi

Ortaku im

“Një ortak është një pasuri më shumë. Por gjithashtu kjo ka dhe dy pohime të tjera: është pasuria më e shtrenjtë nga të gjitha pasuritë (vlerësohet me aksione) dhe është një e mirë që mund të arrijë të paralizojë biznesin tonë”. Fernando Trias de Bes

Nga Meri Lika - Gjatë eksperiencës sime në sektorin privat, kam njohur shumë lloj ortakësh në biznese. Sot, në ato që do të them në këtë shkrim, shumë prej klientëve apo dhe ish-klientëve të mi do të më kuptojnë dhe do mendoj se do të më japin të drejtë.

Ortakëritë janë të vështira kudo në botë, por në Shqipëri janë akoma më shumë të vështira dhe problematike. Ortakëritë e këqija vendosin në pozita shumë të vështira edhe profesionistët e punësuar në to.

Shpesh e kam pyetur veten se përse kanë kaq probleme ortakëritë? Si duhet zgjedhur një ortak në rastet kur je i detyruar ta bësh? A ia vlen një biznes në ortakëri? A është më i mirë ortaku familjar?

Zgjedhja e partnerit për të filluar një biznes ose një projekt të përbashkët është, sipas mendimit tim, një nga detyrat më të rëndësishme e cila do të jetë vendimtare për të realizuar idenë që kemi. Kjo na kërkon të jemi të vetëdijshëm për shumë elementë që mund të përkthehen në sukses ose dështim.

Personi me të cilin vendosim të ngremë peshën e projektit tonë duhet të ketë një seri karakteristikash të veçanta që shkojnë përtej aftësive të negociatave: duhet të jetë një person që ka të njëjtat vlera me ne dhe një vizion që është në përputhje me kompaninë që duam të krijojmë së bashku.

Duhet t'i bëjmë disa pyetje vetes përpara se të vendosim se kush do të jetë partneri i duhur për pjesën tjetër të projektit tonë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të zgjedhur personin që do të na shoqërojë në biznes, sepse me të do të marrim vendime të rëndësishme, do të hartojmë plane dhe do të marrim përgjegjësi.

Ka pak muaj, që kam lidhur kontratë me një klient të ri, i cili është i vetmi biznes (me aq sa kam njohur unë) ku ortakëria funksionin si orë zvicerane. E habitur nga një konstatim i tillë fillova të analizojë me veten time të gjitha bizneset që kisha njohur deri në këtë moment dhe në mënyrë modeste kam arritur në disa konkluzione se si mund të funksionojë mirë një ortakëri.

A kam besim 100 % tek ky person?

Unë mendoj dhe gjykoj se nëse kësaj pyetjeje ne i përgjigjemi “Jo”, ose “Nuk e di”, ka shumë mundësi që ky të mos jetë kandidati i duhur. Ortaku duhet të jetë plotësuesi ynë, gjysma jonë mbi të cilin do të bie gjysma e vendimeve të rëndësishme të projektit tonë. Besimi 100% tek ai është pothuajse i pamundur por duhet të jetë një besim i heshtur të cilin duhet ta kemi në momentin që fillojmë projektin së bashku.

A kemi të njëjtën dëshirë dhe qëllim për arritjet e projektit?

Të dy njësoj duhet të kemi një pasion absolut për atë që duhet të mësojmë gjatë rrugëtimit që do të bëjmë së bashku. Nëse ortaku ynë nuk e shikon projektin në të njëjtën mënyrë si ne, mendoj, se është më mirë që ky projekt të mos fillojë, sepse ka shumë mundësi që ta lemë njëri-tjetrin në mes të rrugës duke mos qenë në sintoni. Ka shumë rëndësi që ortaku ynë të pranojë sukseset dhe dështimet, sepse në të dyja rastet jemi në të njëjtën barkë.

A ka ortaku im aftësi dhe njohuri nga të cilat unë mund të mësoj?

Të mësuarit nga ortaku ynë do të jetë jetik për biznesin. Madje, unë mendoj, se ne duhet të admirojmë cilësitë e tij dhe të dëshirojmë të mësojmë sa më shumë që të jetë e mundur prej tij. Partneri ynë në biznes, duhet të jetë një person i denjë për respekt në shumë mënyra. Nëse e respektojmë, nëse e admirojmë mënyrën se si ai punon për ta bërë kompaninë të funksionojë, atëherë kemi gjetur personin e duhur. Nuk duhet ta lemë të na ik.

A kemi të njëjtët vlera etike dhe morale?

Kjo është një nga cilësitë më të rëndësishme, për të gjithë, për të zgjedhur partnerin tonë të biznesit. Nëse do të punojmë me një person shumë të talentuar, i cili tregon se ka një aftësi të lartë për të kthyer gjithçka që prek në ar, por i mungon etika dhe shkalla e njëjtë e vlerave që janë jetësore për ne, atëherë duhet të ndalemi dhe të mendohemi mirë përpara se t’i propozojmë ortakërinë për të bërë biznes së bashku. Ortakët duhet të kenë të njëjtin moral, të njëjtën sjellje etike. Ne duhet të dimë se çfarë është e lejuar në sjelljen tonë dhe çfarë është e ndaluar, madje e ndaluar edhe të mendohet.

A ndihem qetë kur jam me të?

Të zgjedhësh ortakun është njësoj si të zgjedhësh partnerin e jetës: duhet të kemi sintoni sa që të kuptohemi edhe pa folur. Të ndihemi qetë me ortakun tonë të ardhshëm do të jetë jetësore jo vetëm për biznesin por edhe për jetën, me një ortak të tillë mund të flasim pa frikë edhe për jetën tonë, besimi në biznes të krijon besim për gjithçka, një ortakëri e mirë të dhuron edhe një mik të mirë. Prandaj duhet ta mendojmë mirë zgjedhjen e ortakut tonë sepse do të ketë ndikim shumë të madh në të ardhmen tonë.

PO ORTAKU FAMILJAR?

Shumë prej bizneseve në Shqipëri, funksionojnë si biznese familjare, dhe sipas gjykimit tim këto janë bizneset më të vështira. Dështimet e shumë bizneseve familjare në Shqipëri ndodhin, sepse ortakët nuk e analizojnë familjarin e tyre, atyre iu mjafton thjesht dhe vetëm lidhja e gjakut, por nuk duhet të harrojmë se “motra jemi shoqe s’jemi”.

Si duhet të marrim vendimin për ortakërinë në këto raste? A vlejnë të njëjtat kritere si për ortakun që është jashtë lidhjes familjare?

Duke qenë se familjarët tanë i njohim më mirë, përpara se të vendosim partneritetin në biznes duhet të qartësojmë disa pika, të mos harrojmë shprehjen e më të vjetërve “Me tëndin ha e pi por biznes moj bëj”.

Të njëjtat pyetje që bëjmë për ortakun jo familjar duhet t’i bëjmë edhe në rastin kur duam të zgjedhim ortakun familjar, madje për rastin e familjarit, unë mendoj se duhen edhe disa qartësime të tjera.

A duhet të ketë secili ortak një rol më vete?

Në një ortakëri familjare gjithsecili kërkon të ketë një rol të rëndësishëm, atëherë ndarja e pozicioneve i jep gjithsecilit rëndësinë e tij. Nëse secili ortak nuk ka drejtimin e tij por, kemi ngatërrim të roleve atëherë do fillojnë tensionet, të cilat shumë shpejt do të kalojnë edhe në tensione familjare.

A është biznesi shtëpia jonë?

Ortakëritë shqiptare, sidomos ato familjare dhe ato me një ortak të vetëm, e trajtojnë biznesin si portofolin e shtëpisë, shumica prej tyre kanë shumë dëshirë që edhe “bukën për në shtëpi” ta blejnë nga biznesi me justifikimin se është biznesi i tyre, por në momentin që në portofolin e shtëpisë, fusin duart të gjithë askush nuk ka më kontroll. Njëjtë duhet të funksionojë edhe biznesi, dhe sidomos biznesi familjar. Pra ortakët duhet të përcaktojnë që në fillim se biznesi është i shkëputur nga familja, ai është vendi i punës dhe jo kolltuku i ngrohtë i shtëpisë. Familja duhet të kuptojë se biznesi nuk është vetëm i familjes së tyre, por është i të punësuarve, është i shtetit, është i furnitorëve, i klientëve, pra është i të gjithë atyre lidhjeve që biznesi gjatë aktivitetit të tij krijon.

A ka kapacitet familjari ynë?

Ortaku familjar nuk duhet të zgjidhet thjesht dhe vetëm sepse mund të kesh besim ngaqë është familjari ynë, përpara se të vendosim për përzgjedhjen e tij duhet të analizojmë aftësitë e tij. A ka familjari im aftësitë që më nevojiten për të çuar përpara projektin tim? A i sjell ai, me aftësitë e tij, përfitim projektit tim? Ashtu si dhe me ortakërinë me një person jo familjar, është shumë e rëndësishme që ortakët të plotësojnë njëri –tjetrin, nëse familjari ynë nuk ka asnjë aftësi që na mungon nuk duhet ta zgjedhim.

Reflektimin tim po e mbyll me një shprehje nga Fernando Trias de Bes (shkrimtar dhe ekonomist spanjoll) i cili thotë: “Një ortak është një pasuri më shumë. Por gjithashtu kjo ka dhe dy pohime të tjera: është pasuria më e shtrenjtë nga të gjitha pasuritë (vlerësohet me aksione) dhe është një e mirë që mund të arrijë të paralizojë biznesin tonë”.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë