Lajme

Organizoi vrasjen e komisarit Artan Cuku, arrestohet Kristaq Leci

Është vënë në pranga sot nga policia greke, Kristaq Leci, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e komisarit Artan Cuku. Kristaq Leci akuzohet se në atentatin ndaj komisar Cukut, ka bërë rolin e ndërmjetësit mes vrasësit me pagesë Mikel Shallari dhe porositësit Bledar Jamabelli.

Arrestimi i Lecit vjen pas më shumë se dy vite nga ekzekutimi i komisarit Cukut në derën e shtëpisë së tij në 8 prillin e vitit 2017. Prokuroria ka arritur të zbulojë se Leci ka qenë në Tiranë kur ka ndodhur vrasja e komisarit.

Mikel Shallari, autori i vrasjes dhe Kristaq Leci kanë lidhje gjaku mes tyre dhe dyshohet se ka qenë pikërisht ky i fundit që ka qenë koka e organizimit të atentatit ndaj komisarit Artan Cuku. Ai u ndalua nga policia e Athinës, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritet shqiptare.

Vrasja e komisar Artan Cuku

Artan Cuku kishte qenë shef i komisariatit të Vlorës në vitin 2012, kur kishte urdhëruar arrestimin e Bledar Jamabellit. Ky i fundit njihej si një personazh shumë i rrezikshëm në qytetet e Fierit dhe Vlorës dhe akuzohej se kishte vrarë biznesmenin Amarildo Delaj, për të cilin u dënua, por doli nga burgu vetëm pas 2 vitesh.

Ka qenë pikërisht ky momenti që ka ndezur konfliktin mes Jamabellit dhe komisarit Cuku, që çoi deri në vrasjen e tij. Pasi doli nga qelia, Jamabelli ishte betuar se do të merrte hak ndaj komisarit dhe nisi kontaktet e para me vrasës me pagesë. Ai fillimisht kontaktoi Kristaq Lecin, që jetonte në Greqi dhe ra dakord që ta kryente vrasjen për shumën e 20 mijë eurove. Leci më pas bisedoi me kushëririn e tij, Mikel Shallari, që do të ishte ai pikërisht njeriu i cili do të shkrepte armën kundër Cukut në hyrjen e shtëpisë së tij. Leci si truri i kësaj ngjarje, pasi mori porosinë dhe paratë nga Jamabelli e hartoi të gjithë planin dhe i koordinoi lëvizjet me anë të sms-ve.

E gjithë kjo dinamikë e ngjarjes u zbulua më pas nga vetë Mikel Shallari, pasi ky i fundit u arrestua nga policia. Ai pranoi para prokurorëve që të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë dhe të rrëfente të gjithë ngjarjen, që ndihmoi zbardhjen e plotë të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë