Politike

Spraj djegës, goma të djegura, vezë e përleshje, tension në protestën te Bashkia e Tiranës, Veliaj ‘sillet’ në pranga

Gazeta Si - Aleanca për Teatrin e mbështetur nga Rithemelimi dhe Partia e Lirisë ka zhvilluar këtë të hënë protestën e radhës përpara Bashkisë së Tiranës.

Në një manekin të veshur me rrobat e një të burgosuri është vendosur fytyra e kryebashkiakut të Erion Veliajt. Sipas protestuesve, Erion Veliaj e ka vendin në burg për aferën e inceneratorëve por edhe skandalin me drejtorët e përfshirë në dosjen 5D.

Ky manekin është vendosur në koshin e mbeturinave dhe është sjellë në protestë.

Ndërkohë protestuesit kanë sjellë edhe goma para bashkisë për të përsëritur skenarin e djegies.

Ndërkohë që u kanë vënë zjarrin, policia ka ndërhyrë për ta fikur ku dhe janë përballur me hedhjen e vezëve drejt tyre.

Situata është tensionuar më tej me policinë që ka hedhur spraj lotsjellës drejt protestuesve dhe disa prej tyre por edhe deputetë si Klevis Balliu e Flamur Noka janë ndjerë keq.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, njëkohësisht edhe këshilltari ekonomik i PD, Dorian Teliti duke folur në protestën e 11 para bashkisë së Tiranës, u shpreh se demokratët dhe shqiptarët nuk pranojnë instalimin e diktaturës.

Teliti theksoi se vetëm me protesta të qëndrueshme arrihet qëllimi madhor, ndryshimi i pushtetit.

‘Në këtë protestë të 11 ne kemi treguar diçka, që ne nuk dorëzohemi. Nuk dorëzohemi as para gardheve policore, as ndaj presioneve, as nga skafandrat që po afrohen tani. Nuk dorëzohemi deri ditën që ata që kanë vjedhur e po shkatërrojnë Tiranën e Shqipërinë të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha Teliti.

Policia ka njoftuar se ka marrë masa për mbarëvajtjen e këtij tubimi.

Për këtë arsye do të bllokohet përkohësisht qarkullimi i makinave në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Uniformat blu sugjerojnë përdoruesit e mjeteve që të përdorin rrugë alternative deri në përfundimin e tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Kujtojmë që në protestat e mëparshme është përdorur hedhja e molotovëve dhe sendeve të tjera në drejtim të Bashkisë. Policia bën thirrje që qytetarët të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë